“Fshesa” e Artetas tek Arsenali kap Xhakën e Mustafin

Prishtinë | 25 Dhj 2019 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Futbollistët shqiptarë të Arsenalit, mesfushori Granit Xhaka dhe qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi pritet të jenë largimet e para të trajnerit të ri, Mikel Arteta, në afatin kalimtar të janarit.

Mediumet angleze kanë raportuar të martën se Arteta nuk llogarit në dy futbollistët shqiptarë dhe tashmë ka njoftuar drejtuesit e klubit për t’i nxjerrë në shitje.

Në fakt, Arteta tashmë e ka ofruar Xhakën në shkëmbim për mesfushorin e Leicester Cityt, Wilfred Ndidi, që po shkëlqen këtë edicion në Premier League, transmeton Koha Ditore.

Pos kartonit të Xhakës, Arteta ka ofruar edhe 45 milionë euro për të bindur Leicesterin që ta lërë të lirë mesfushorin 23-vjeçar. Ndërkohë për Mustafin, klubi londinez tashmë ka nisur negociatat me ekipin nga Serie A, Bologna.

“Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, i ka bërë një ofertë joshëse Leicesterit për mesfushorin Wilfred Ndidi. Për transferimin e tij gjatë janarit, Arteta ka ofruar kartonin e Xhakës plus 45 milionë euro. Arteta me të ardhur te Arsenali, ka bërë një listë të lojtarëve që nuk i duhen për ta freskuar ekipin për këtë edicion. Ndidi është synimi kryesor i Artetas në janar dhe gjasat janë të mëdha që ky transferim të realizohet”, ka shkruar “Daily Mail”.

Në rast se dështon ky shkëmbim me Leicesterin, atëherë Xhaka ka gjasa të kthehet në Bundesligë, te skuadra e Hertha Berlinit, që është e gatshme të paguajë dëmshpërblim deri në 40 milionë euro për shërbimet e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme