Fundi i një cikli

Prishtinë | 18 Tet 2020 | 08:14 | Nga Ekonomia Online

Një pikë e fituar në ndeshjen e parë, ndaj Finlandës (1:1), ishte prej momenteve të vetme të ndritura në ciklin e parë kualifikues të përfaqësueses së Kosovës në futboll. Më pas u rreshtuan nëntë humbje, disa prej tyre të thella. Ndonëse u vlerësua se përfaqësuesja po bëhej dhe se cikli i parë ishte i rëndësishëm për t’i dhënë formë ekipit, presioni i madh publik bëri që të kishte edhe ndryshime.

Selektori u ndërrua, lojtarë të tjerë erdhën, ndërsa situata u bë dukshëm më e favorshme. Organizimi rreth përfaqësueses u përmirësua ndjeshëm, kurse plusi kryesor ishte fillimi i zhvillimit të ndeshjeve në Prishtinë, shkruan KOHA.

Ishte momenti për ngritje, për të ndërtuar mbi bazën e krijuar në ciklin e parë. Talenti nuk mungonte, niveli i lojtarëve ngrihej vazhdimisht dhe rezultatet nisën të vijnë. Edhe situata në futbollin ndërkombëtar po shkonte në favor të Kosovës. Nisi një garë e re e UEFA-s, e quajtur Liga e Kombeve, që jepte mundësi shtesë për përfaqësueset e vogla. E tillë ishte Kosova në vitin 2018, kur Liga e Kombeve, e ndarë në katër nivele, po zhvillohej për herë të parë.

Thuajse përnjëherë pritshmëritë prej ekipit të futbollit që përfaqëson vendin nuk ishin në përputhje me vlerësimin për Kosovën si “përfaqësuese e vogël”. Shumica, nëse jo të gjithë, ëndërronin për një gjë të madhe – kualifikimin në Evropianin e vitit 2020.

Përmirësimi i ndjeshëm i rezultateve çoi drejt asaj ëndrre.

Pas mbylljes së ciklit të parë, Kosova luajti disa miqësore, që shkuan në shërbim të rritjes. Një fund dramatik solli fitoren 4:3 ndaj Letonisë më 13 nëntor të vitit 2017, në një fazë të ndërmjetme, pas largimit të Albert Bunjakit dhe në pritje të selektorit të ri. Muharrem Sahiti ishte në krye të ekipit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme