Fundjavë hendbolli, pesë ndeshje ndërkombëtare në Kosovë

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Plot pesë ndeshje evropiane të hendbollit do të luhen në Kosovë këtë fundjavë. Kampionia aktuale, Besa Famgas, e luan një ndeshje në kuadër të Kupës së EHF-së, derisa Prishtina e Kastrioti zhvillojnë nga dy ndeshje në Challenge Cup, që është niveli i tretë i garave evropiane.

Klubet kosovare të hendbollit prej vitit 2005 garojnë në kupa evropiane, por nuk ka ndodhur që pesë ndeshje të luhen në vend brenda një fundjave. Kjo ka ndodhur pasi Prishtina e Kastrioti kanë arritur marrëveshje me klubet rivale që të dy ndeshjet t’i luajnë në Kosovë, brenda një fundjave, shkruan sot Koha Ditore.

Besës i ishte bërë ofertë që të luajë në Norvegji dy ndeshjet me nënkampionin e këtij vendi, Drammenin, por skuadra pejane refuzoi. Të dielën Besa pësoi në Drammen me shifrat 37:26. Pas humbjes me 11 gola dallim, në klubin pejan janë të vetëdijshëm se kalimi tutje është thuajse i pamundur. Por e pamundur nuk vlerësohet edhe fitorja në ndeshjen e dytë, që zhvillohet të shtunën (sot, 19:00) në palestrën “Karagaçi”. Besa e Drammeni takohen në rrethin e dytë të Kupës së EHF-së.

Në rrethin e parë Besa Famgas e eliminoi Batumin e Gjeorgjisë. Skuadra pejane prej vitit 2005 garon në kupa evropiane, ndërsa ka munguar vetëm një edicion. Katër herë deri më tani ka kaluar nga një kundërshtar, ndërsa më shumë nuk ka avancuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme