Futbollistet hapin periudhën e ngjeshur me ndeshje ndërkombëtare

Prishtinë | 27 Gus 2019 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Futbollistet e Kosovës i nisin të martën (sot) përgatitjet për dy ndeshjet e tyre të para në kualifikimet për kampionat evropian. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (femrat), të premten, luan ndaj Turqisë, në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ora 20:00. Me këtë ndeshje fillon “dyjavëshi ndërkombëtar”, gjatë së cilës periudhë janë pesë ndeshje të përfaqësueseve të Kosovës në futboll.

Futbollistet e Kosovës menjëherë më 3 shtator luajnë në udhëtim ndaj Sllovenisë. Janë këto ndeshje të Grupit A të kualifikimeve për “Euro 2021”. Kosova për herë të parë luan në kualifikime për evropian, ndërsa më herët ka luajtur në kualifikime për botëror, pa shumë sukses. Megjithatë, së fundi niveli i përfaqësueses është ngritur goxha shumë dhe synimet janë për rezultate pozitive ndaj Turqisë e Sllovenisë. Kosova në grup i ka edhe Holandën, Rusinë e Estoninë, shkruan sot Koha Ditore.

Kosova në prill ka luajtur dy miqësore me Maqedoninë Veriore. Ka fituar 3:1 dhe ka barazuar 3:3. Përzgjedhësja Afërdita Fazlija do të mbështetet në lojtaret që kishin luajtur për Kosovën në ato ndeshje.

Të ngjashme