Futbollistët që ishin të pasur pa e nisur karrierën

Prishtinë | 10 Jan 2020 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Futbollistët sot bëjnë para të mëdha. Me mesataren e pagës mbi 50 mijë funte në javë në Premier League, nuk është për t’u befasuar që djemtë duke u rritur ëndërrojnë t’ia dalin në futbollin profesionist.

Mirëpo ka futbollistë që vijnë nga familje të pasura dhe nuk janë të shtyrë drejt futbollit për para.

“SunSport” ka nxjerrë disa yje të futbollit që kanë qenë duke “notuar” në pasuri dhe nuk kanë pasur nevojë për paratë e lojës së bukur, transmeton Koha Ditore.

Gianluca Vialli

Legjenda e Italisë dhe Chelseat, Gianluca Vialli, ishte gjithmonë i njohur si gjentëllmeni i lojës. Dhe me gjasë është nga rritja e tij. Ai është rritur nga babai i tij, një milioner, në një kështjellë me 60 dhoma të quajtur “Castello di Belgioioso” në Cremona, me katër fëmijët e tjerë të familjes.

Fituesi i Ligës së Kampionëve dhe Serie A, po ashtu pëlqente të luante golf. Ai mori pjesë në kampionatin e Alfred Dunhill, që është një nga turnetë më prestigjiozë të golfit në Evropë.

Frank Lampard

Kryetrajneri i tashëm i Chelseat, Frank Lampard, nuk kishte pasur pse të shkonte në futboll për para, ndonëse ishte një vendim i lehtë për të. Lampard vinte nga një familje futbolli, ky daja tij Harry Redknapp dhe babai i tij Frank Lampard Sr. ia kishin treguar rrugën për te West Ham Unitedi.

Ai kishte ndjekur shkollën luksoze Brentwood në Essex, që ka kushtuar para të mëdha. Atje u shqua në mësime dhe ka mundur të bëhej llogaritar, sipas njërit prej mësuesve të tij.

Gerard Pique

Të qenit gjysma e një çifti të famshëm (bashkëshortja e tij është këngëtarja e famshme kolumbiane Shakira), mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka bërë pasuri të madhe. Mirëpo fëmijëria për mbrojtësin, po ashtu, ka qenë e lehtë, një lojtar që kishte kaluar rininë në Angli te Manchester Unitedi.

Ai kishte një jetë komode në Katalonjë. Babai i tij, Joan, është avokat i suksesshëm dhe biznesmen, ndërsa nëna e tij, Montserrat, është drejtoreshë e një spitali në Barcelonë. Edhe gjyshi i Piques, Amador Bernabeu, ishte me emër, pasi kreu postin e drejtorit te Barcelona për një kohë.

Të ngjashme