Futbollistët që para përhapjes së koronavirusit pranuan t’i ndërrojnë klubet

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 08:31 | Nga Ekonomia Online

Me futbollin që është pezulluar pothuajse në gjithë botën për shkak të përhapjes së koronavirusit, kanë mbetur shumë gjëra në ajër. Nuk dihet se kur do të rifillojë futbolli dhe se sa do të zgjasë kjo situatë. Gjithashtu, klubet kanë edhe halle të tjera, për shkak se duhet të merren edhe me çështjen e kontratave të futbollistëve. Në fakt, ka edhe klube që në fillim të këtij viti kanë siguruar shërbimet e lojtarëve më të cilët tashmë kanë firmosur parakontrata. Në bazë të marrëveshjes, këto transferime pritet të realizohen në fund të muajit qershor, saktësisht më datën 1 korrik kur pritet të prezantohen dhe të firmosin kontratat formalisht me ekipet e tyre të reja. Më poshtë “The Guardian” paraqet pesë përforcimet që disa prej klubeve evropiane i kanë zyrtarizuar për edicionin 2020/21.

 Hakim Ziyech – nga Ajaxi te Chelsea

Sulmuesi i krahut, Hakim Ziyech, ndoshta është përforcimi më domethënës që ka përfunduar pa u hapur afati kalimtar për edicionin 2020/21. Tifozët e Chelseat prej fillimit të këtij viti, me padurim po presin të shohin Ziyechin me fanellën e klubit të tyre në edicionin e ri. Skuadra londineze arriti të sigurojë shërbimet e tij dhe mposhti konkurrencën e ekipeve të tjera, pasi u pajtua t’i paguajë Ajaxit 65 milionë euro dëmshpërblim. Marrëveshja u bë e ditur nga të dyja palët, me Ziyechin që do të duhet t’i bashkohet Chelseat më datën 1 korrik. Megjithatë, mbetet të shihet se si do të shkojnë gjërat gjatë këtyre muajve pas përhapjes së koronavirusit. Ziyech është njëri prej futbollistëve më të mirë në rolin e tij, pasi para se të pezullohej ky edicion, ai ka shënuar tetë gola dhe ka bërë 21 asistime në 35 ndeshje për Ajaxin.

Trincao – nga Braga te Barcelona

Te skuadra e Barcelonës, në fillim të këtij viti raportuan se kanë siguruar shërbimet e njërit prej talenteve më të mëdha të futbollit në Evropë. Për Trincaon, që po vlerësohet si pasardhës i Cristiano Ronaldos, Barcelona arriti marrëveshje me Bragan që nga shitja e tij do t’i përfitojë 31 milionë euro. Sulmuesi 20-vjeçar, në bazë të marrëveshjes mes të gjitha palëve, duhet t’i bashkohet Barcelonës në fillim të muajit korrik. Trincao këtë edicion që tashmë është pezulluar për shkak të përhapjes së koronavirusit, ka regjistruar 30 paraqitje te Braga dhe ka shënuar shtatë gola e ka bërë nëntë asistime. Te Barcelona, aktualisht situata nuk është e mirë, për shkak se klubi ka paralajmëruar reduktimin e pagave të futbollistëve, ide që në fillim nuk është pranuar. Tash për tash, Trincao nuk po përmendet tek ekipi spanjoll, ndonëse ka muaj që është konfirmuar si përforcim për edicionin e ri.

Antony – nga Sao Paolo tek Ajaxi

Pasi arriti marrëveshje me Chelsean për Ziyechin, drejtuesit e Ajaxit nuk qëndruan duarkryq, por reaguan menjëherë për të siguruar zëvendësimin për sulmuesin maroken. Pak ditë pasi u konfirmua se Ziyech në fund të këtij edicioni do t’i bashkohet Chelseat, skuadra e Ajaxit arriti marrëveshje me Sao Paolon për sulmuesin brazilian, Antony. Për shërbimet e tij, Ajaxi u pajtua të paguajë 20 milionë euro dëmshpërblim kurse 20-vjeçari, do t’i bashkohej ekipit holandez më 1 korrik. Antony këtë edicion ka regjistruar vetëm dy paraqitje me ekipin nga Brazili dhe atë në kuadër të Copa Libertadores. Kështu që, edhe situata e tij mbetet të shihet gjatë muajve në vazhdim, për shkak se nuk ka një datë të saktë për rifillimin e këtij edicioni pas përhapjes së koronavirusit në mbarë botën.

Pedrinho – nga Corinthiansi te Benfica

Vetëm një futbollist deri në moshën 21-vjeçare kishte vlerësim më të lartë se Antony në Serie A të Brazilit gjatë edicionit dhe ai ishte sulmuesi i Corinthiansit, Pedrinho. Duke pasur parasysh vlerësimin dhe paraqitjet e tij të mira, skuadra nga Portugalia, Benfica, nuk qëndroi duarkryq dhe në fillim të këtij viti bëri të ditur arritjen e marrëveshjes për transferimin e tij. Benfica u pajtua për një dëmshpërblim prej 20 milionë eurosh për Pedrinhon, i cili deri në fund të muajit qershor do të qëndronte te skuadra e Corinthiansit. Këtë edicion, Pedrinho ka vetëm një paraqitje me Corinthiansin derisa përgjatë edicionit të shkuar, ai pati shtatë gola e katër asistime në 36 paraqitje në gjitha garat me ekipin e tij.

Alexander Nuebel – nga Schalke te Bayerni

Për dallim prej katër përforcimeve të tjera, portieri Alexander Nuebel te Bayern Muencheni do të transferohet më 1 korrik si lojtar i lirë. Në fakt, Bayerni ka arritur në ditët e para të janarit marrëveshje me Nuebelin, i cili kishte paralajmëruar largimin nga Schalke në fund të këtij edicioni kur edhe i skadonte kontrata. Kështu që, Bayerni njoftoi se Nuebel ishte pajtuar me një kontratë pesëvjeçare që do të futej në fuqi me të përfunduar edicioni 2019/20. Nuebel 23-vjeçar, vlerësohet ndër portierët më të mirë në Evropë dhe ka qenë pjesë e Schalkes prej vitit 2015, kur ishte transferuar nga Paderborni. Këtë edicion, ai te Schalke ka pasur 31 paraqitje, kurse te Bayerni ishte paralajmëruar si zëvendësim për Manuel Neuerin 33-vjeçar.

Të ngjashme