Futbollistët shqiptarë e shkruajnë historinë me klubin kroat

Prishtinë | 26 Kor 2020 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Me 4 shqiptarë në fushë dhe Indrit Tucin në stol Lokomotiva e Zagrebit e shkroi historinë.

Skuadra nga kryeqyteti kroat arriti të fitojë me rezultatin 1-2 në fushën e Osijek në ndeshjen e fundit të kampionatit duke u kualifikuar për në paraeliminatoret e Champions League për herë të parë në historinë e saj.

Mersinaj, Çokaj, Uzuni e Kastrati ishin titullarë përballë Osijekut që duhet të vuante mungesën e Eros Grezdës për shkaqe dëmtimi por kishte në fushë nga minuta e parë ish lojtarin e Tiranës Merveille Ndockyt.

Barazimi në këtë sfidë nuk i bënte punë asnjërës prej dy skuadrave pasi nëse fitonte Rijeka në krahun tjetër diçka që ndodhi si Osijek ashtu edhe Lokomotiva e Zagrebit shkonin në Europa League.

Uzuni dhe Lirim Kastrati, të cilët luanin ndeshjen e fundit me fanellën e Lokomotivës së Zagrebit (e kanë edhe finalen e Kupës ndaj Rijekas) pasi të dy janë shitur te Ferencvaros dhe Dinamo e Zagrebit përkatësisht, patën ndikimin e tyre në golin e parë dhe atë që zhbllokoi shifrat të realizuar nga Jakic në minutën e 53-të.

Por shumë shpejt në të 57-n Maric barazoi për Osijek, barazim  që nuk i vlente asnjërës prej dy skuadrave pasi Rijeka po fitonte në krahun tjetër dhe në fund të dyja skuadrat u hodhën në kërkim të golit që do t’i çonte në Champions me fatin që i buzëqeshi Lokomotivës pas një autogoli të Loncar në minutën e 88-të.

Në këtë kualifikim historik të Lokomotivës një rol të madh kanë luajtur futbollistët shqiptarë, por me Uzunin dhe Kastratin që do të largohen në fund të këtij sezoni, ata që do ta shijojnë do të jenë Mersinaj, Çokaj dhe Tuci. /SS/

Të ngjashme