Futbollisti amerikan arrestohet pasi nuk pagoi 5 dollarë për një pije, ai akuzoi banakierin për racizëm

Prishtinë | 10 Sht 2022 | 11:54 | Nga Ekonomia Online

Reprezentuesi amerikan, Miles Robinson, u arrestua të shtunën e kaluar pasi refuzoi të paguante 5 dollarë për një koktej dhe e akuzoi banakierin për racizëm.

Klubi ku aktivizohet amerikani, Atlanta United, lëshoi një komunikatë zyrtare pas këtij rasti.

“Ne jemi në dijeni të një arrestimi të fundit që përfshin Miles Robinson. Ne po vazhdojmë të mbledhim të gjitha informacionet në lidhje me incidentin dhe nuk do të kemi komente të mëtejshme në këtë moment”.

Sipas raportit, një kopje e të cilit u sigurua nga “ESPN”, incidenti ndodhi në “PBR Atlanta”, një bar pranë Truist Park.

Në raport pretendohet se Robinson refuzoi të paguante për një pije prej 5 dollarësh, të cilën thuhet se e mori nga një tabaka pijesh.

Banakieri lajmëroi menaxherin e lokalit, i cili i kërkoi policisë të nxirrte Robinsonin jashtë.

Pasi u ndalua nga policia, Robinsonit iu tha se gjithçka që duhej të bënte ishte të paguante për pijen dhe ai mund të largohej i qetë. Sipas raportit, Robinson u përgjigj: “E gjithë kjo mbi pesë dollarë, vëlla…”.

Tutje, mbrojtësi amerikan thuhet se ka akuzuar banakierin si racist, duke deklaruar: “Ti dëshiron të dëgjosh vetëm banakierin racist, nuk do të më dëgjosh mua”, duke shtuar se e gjithë kjo ndodhi sepse ai ishte i vetmi mashkull me ngjyrë në atë lokal.

Policia përfundimisht arrestoi Miles Robinsonin, i cili pastaj u lirua me kusht me një gjobë prej 150 dollarësh. 

Të ngjashme