Futbollisti i vetëm shqiptar që luante në Serbi po ikë nga atje

Prishtinë | 12 Jan 2019 | 16:12 | Nga Ekonomia Online

Faton Xhemaili po e lë kampionatin serb për t’u transferuar në kampionatin shqiptar te një klub i madh. Në Serbi nuk luante shumë, kurse Shqipëria i ka bërë vend edhe në ekipin kombëtar U-21.

Elita e futbollit e Serbisë po mbetet pa asnjë futbollist shqiptar. Kjo për shkak se Faton Xhemaili, shqiptari i vetëm që ka luajtur deri më tani në Superligën e Serbisë, po largohet nga atje.

Mbrojtësi nga Bujanoci deri më tani ishte pjesë e Radnik Surdulica, për të cilin ekip luante shumë pak, dhe për këtë mund të ketë ndikuar edhe përkatësia e tij kombëtare. Kjo për shkak se 20-vjeçari ka merituar më shumë minuta për të luajtur falë cilësive të tij, të cilat i ka vërejtur Shqipëria, e cila i ka bërë vend në ekipin U-21 të saj, raporton Gazeta Express.

Dhe, për futbollin shqiptar Xhemaili po e lë futbollin serb. Nga kampionati serb ai pritet të transferohet këto ditë në kampionatin e Shqipërisë.

Xhemaili në vazhdim të edicionit pritet t’i mbrojë ngjyrat e Kukësit, me të cilin klub futbollisti tashmë ka arritur marrëveshje, por mbetet për t’u nënshkruar edhe kontrata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme