Futsall: Kosova në grup me Ukrainën në kualifikimet e Botërorit 2024

Prishtinë | 07 Kor 2022 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Është hedhur shorti për kualifikimet në Kampionatin Botëror 2024.

Në “Main Round” Kosova në grupin e 11-të do të ketë punë me Ukrainën dhe Holandën.

Selektori i kombëtares së Kosovës në futsall Arben Simitçiu, tha se beson në ekipin që ka dhe se janë të motivuar për sukses.

“Shorti është shumë interesant. Kemi në grup një superfuqi në futsall siç është Ukraina. Nuk e di se në çfarë gjendje do të jetë ekipi i tyre, pasi ukrainasit janë të përqendruar në gjëra krejt tjera për shkak të agresionit rus. Ndërsa, sa i përket Holandës kemi pasur dy ndeshje miqësore dhe ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë, synimi do të jetë kualifikimi. Mendoj se ne dhe Holanda do të luftojmë për vendin e dytë në grup, por sigurisht se do të synojmë të bëjmë befasi edhe ndaj Ukrainës, sepse tashmë ndeshjet do të luhen një në shtëpi dhe një jashtë dhe ne mund të nxjerrim maksimumin para tifozëve tanë. Besoj tek djemtë dhe jam shumë i motivuar dhe optimist për sukses” – tha Simitçiu.

Cikli i ndeshjeve do të fillojë nga shtatori i këtij viti dhe përfundon në mars të vitit 2023. Kosova u kualifikua në ‘Main Round”, pasi doli e dyta në Grupin C të fazës së parë kualifikuese.

Ndeshjet në çdo grup do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, teksa fituesit e 12 grupeve dhe katër ekipet më të mira të vendeve të dyta do të kualifikohen në “Elite Round”, derisa tetë ekipet e tjera të vendeve të dyta do të luajnë në “play-off”

Të ngjashme