Gara e fortë për titull mund të vendoset nga skuadrat e mesit të tabelës

Prishtinë | 15 Pri 2019 | 08:28 | Nga Ekonomia Online

Ferizaj ka hapur garën për titull, ndërsa skuadrat e tjera jo pretendente mund t’i japin formë të mëtejme asaj, por edhe ta vendosin plotësisht.

Gjashtë xhiro para fundit të edicionit 2018\19 në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, gara për titull vlerësohet të jetë plotësisht e hapur dhe interesante si rrallë ndonjëherë, shkruan sot “Koha Ditore”. Derisa zakonisht dy skuadra zhvillojnë garë deri në fund, këtë edicion titullin deri në fund pritet ta kërkojnë tri skuadra, Feronikeli, Prishtina e Llapi.

Të tri skuadrat kanë luajtur të shtunën në kuadër të javës së 27-të dhe hapi i gabuar i Feronikelit, ka bërë garën thuajse të barabartë. Feronikeli pësoi në shtëpi nga Ferizaj me rezultatin 2:1, derisa Prishtina fitoi 1:0 ndaj KEK-ut e Llapi 2:1 ndaj Gjilanit. Feronikeli, me gjithë humbjen, ka mbetur në vend të parë me 62 pikë, sa tani i ka edhe Prishtina. Llapi iu rri fare pranë liderëve me 60 pikë në vend të tretë.

Kështu në gjashtë xhirot e fundit secila ndeshje do të ketë peshën e vet të madhe dhe mund të luajë rol të madh në garën për titull, që sjell favore të mëdha financiare e sportive. Ndër të tjera kampioni do të paraqitet në kualifikime të Ligës së Kampionëve, ndërsa ndeshjet e para do t’i luajë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme