Gashi nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës

Prishtinë | 03 Kor 2018 | 12:01 | Nga

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit , Kujtim Gashi, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Sipas këtij memorandumi, FFK-ja do të mbështetet financiarisht me mbi 250 mijë euro nga ana e Ministrisë së Sportit. Kjo mbështetje financiare bëhet me qëllim të realizimit të objektivave dhe synimeve të Federatës për vitin 2018, përkatësisht për realizimin e politikave programore për avancimin e sportit femërorë, për mjekësinë sportive, për avancimin e sportit cilësor, për zhvillimin e aktiviteteve sportive të karakterit ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit, për zhvillimin e aktiviteteve sportive për minoritetet dhe sportin multietnik, për zhvillimin e aktiviteteve sportive për personat me aftësi të kufizuara, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve menaxhuese në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatave të sportit.

Gashi, pas nënshkrimit të me memorandumit me nënkryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi, tha se “ky memorandum u nënshkrua sot në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve tjera nënligjore të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

Gashi po ashtu theksoi: “Kjo mbështetje financiare për Federatën e Futbollit bëhet me qëllim që Federata të ketë mundësi të realizojë programin e saj për vitin 2018. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë në mbështetjen financiare të sportit dhe Federatave në vend, sepse duke mbështetur financiarisht federatat dhe sportistët, po realizohen politikat programore për sportin”.

Ndërkaq, Ademi u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e këtij memorandumi. Ai falënderoi Gashin dhe e përgëzoi për punën që po bën në mbështetje të sportit në vend.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme