Gattuso debuton ndaj Parmës, derbi vendimtar për Thiago Mottën

Prishtinë | 14 Dhj 2019 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Genaro Gattuso u ul në pankinën e Napolit vetëm ditën e mërkurë, pasi skuadra kishte siguruar kalimin në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve dhe debutimin zyrtar do ta bëjë mbrëmjen e sotme në orën 18:00, në “San Paolo” përballë një kundërshtari për t’u respektuar si Parma.

Ish trajneri i Milanit do të ketë shansin të debutojë me fitore para publikut vendas dhe të fitojë respektin e tifozërisë, që nuk feston prej javësh në kampionat, me Napolin, që ka “harruar” shijen e fitores dhe është shkëputur jo vetëm nga kreu, por edhe nga zona Champions.

Tekniku i ri i napolitanëve pritet të rikthejë Napolin te rreshtimi 4-3-3, i përdorur thuajse rregullisht edhe nga Sarri, ndërsa priten edhe surpriza në formacion me Mertens dhe Insigne që rrezikojnë të nisen nga pankina.

Objektivi i vetëm i napolitanëve mbrëmjen e sotme do të jetë marrja e tre pikëve, që përveçse do të rikthente qetësinë në ekip, do të mund të afronte sadopak skuadrën me zonën Champions të renditjes, që duket se është edhe objektivi i Gattusos për këtë sezon.

Më herët, në orën 15:00 në “Rigamonti” do të përballen dy skuadrat që kanë ardhur rishtazi nga Seria B, Brescia dhe Lecce, një sfidë që mund të cilësohet fare mirë si përballje direkte për mbijetesën.

Pas periudhës së errët nën drejtimin e Fabio Grossos, “Dallëndyshet” rikthyen në pankinë Eugenio Corinin dhe morën një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Spalit, ndërsa sot do të kërkojnë suksesin e radhës, për të dalë nga zona e ftohtë e renditjes.

Në mbrëmje vëmendja do të jetë në “Marassi”, ku do të luhet edhe derbi i Gjenovës mes Genoas dhe Sampdorias, dy skuadra që këtë sezon po zhgënjejnë me paraqitjet e tyre dhe që renditen në zonën ftohtë të tabelës.

Kuqeblutë e Thiago Mottës kanë shpërdoruar shumë mundësi për të marrë pikë gjatë javëve të fundit dhe nën drejtimin e italo-brazilianit kanë regjistruar vetëm një fitore, duke hedhur pikëpyetje edhe mbi vijimësinë e tij.

Në Itali konfirmohet se derbi do të jetë ndoshta shansi i fundit i Mottës për të ruajtur vendin e punës, pasi çdo rezultat tjetër përveç fitores, mund të përkthehej në shkarkim. Vlen të theksohet se Genoa do të vijë me mungesa në këtë sfidë, pasi dy futbollistë, Agudelo dhe Pandev u ndëshkuan me kartonë të kuq në transfertën ndaj Lecces një javë më parë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme