Gazetari italian: Rrahmani përballet me një test të mirë sonte

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Gazetari italian i Radio Kiss Kiss Napoli, Paolo Del Genio, e ka vlerësuar përballjen e sotshme mes Hellas Veronës dhe Napolit si një test të mirë për qendërmbrojtësin Amir Rrahmani, i cili do të përballet me klubin e tij të ardhshëm.

Vetëm tri ditë pas kthimit në fushën e lojës pas tre muajve pauzë shkaku i koronavirusit, Amir Rrahmani do ta veshë sërish fanellën e Hellas Veronës, këtë herë për t’u përballur me klubin e tij të ardhshëm

Rrahmani arriti marrëveshje për t’u transferuar në Napoli gjatë afatit kalimtar, megjithatë u vendos që ai të qëndrojë në Hellas Verona deri në fund të këtij sezoni e pastaj t’i bashkohet Napolit, ku ka kontratë deri më 2024.

Kjo marrëveshje ka bërë që Rrahmani të detyrohet të luajë kundër bashkëlojtarëve të tij të ardhmen dhe të luftojë kundër tyre për tri pikët e ndeshjes, që janë shumë të rëndësishme për dy klubet që po luftojnë për kualifikim në Evropë.

“Rrahmani është një mbrojtës që do ta ketë një test të mirë kundër skuadrës së tij të ardhshme. Ai është një blerje e mirë për sezonin e ardhshëm”, ka thënë Del Genio.

“Napoli nuk mund të bëjë asgjë tjetër, në nivelin menaxherial, përveçse të vazhdojë ta bëjë atë që e ka bërë në këto dhjetë vjetët e fundit”.

“Ata duhet të vazhdojnë të jenë antagonistët e Juventusit dhe herën apo vonë ata do të arrijnë të fitojnë diçka të rëndësishme”.

Napoli vjen në këtë ndeshje super i motivuar shkaku i triumfit kundër Juventusit në finalen e Kupës së Italisë, ndërsa Hellas Verona vjen pas fitores me rezultat 2:1 kundër Cagliarit në Serie A në fundjavë.

Kosovari ishte mbresëlënës në këtë përballje të fundit të Veronës dhe do të shpresojë ta vazhdojë me të njëjtën formë edhe kundër klubit të tij të ardhshëm për ta dëshmuar veten.

Të ngjashme