Gazetarja përlotet teksa kujton dashurinë e Kobe Bryant për vajzat e tij, ai vdiq si baba

Prishtinë | 28 Jan 2020 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Gazetarja e famshme e ESPN, Elle Duncan, është përlotur teksa e ka kujtuar takimin e saj të vetëm me Kobe Bryant. Ajo e ka rrëfyer atë takim për ta theksuar dashurinë që Kobe Bryant e kishte për vajzat e tij.

Kobe Bryant, i cili vdiq bashkë me vajzën e tij 13-vjeçare Giannas dhe shtatë njerëz të tjerë që po udhëtonin me helikopterin që u rrëzua, e ka lënë prapa vetes gruan e tij 37-vjeçare Vanessan, dhe tri vajzat – 17-vjeçaren Natalia, trevjeçaren Bianka dhe Caprin, e cila lindi në qershor të vitit të kaluar.

Bota e sportit ka qenë duke e vuajtur vdekjen e tij, ndërsa së fundi edhe gazetarja Elle Duncan ka rrëfyer për takimin e saj të vetëm me legjendën e basketbollit.

“Ka shumë gjasa që keni dëgjuar shumë anekdota personale për Kobe Bryant, kështu që dëgjojeni edhe timen. E kam takuar Kobe-n vetëm një herë, gjatë një eventi të ESPN në Nju Jork. E pashë atë  dhe thashë me vete: “Oh Zot, ai është Kobe. Duhet ta bëj një fotografi për Instagram”, ka thënë gazetarja e ESPN, Elle Duncan.

“Nuk arrita ta bëj fotografinë deri pas disa minutave sepse, kur po i afrohesha, ai menjëherë e komentoi barkun tim, pasi që isha tetë muaj shtatzënë. “Si je, sa afër lindjes je, çfarë gjinie e ke beben?”, më pyeti ai”.

“I tregova që vajzë dhe i tokëm duart. E pyeta atë për këshilla se si ta rris një vajzë, pasi që ai i kishte tri vajza në atë kohë. Ai më tha vetëm je mirënjohës që të është dhënë kjo dhuratë sepse vajzat janë të mrekullueshme”.

“Vajza e tij Bianka ishte njëvjeçare e gjysmë në atë kohë, kështu që unë e pyeta nëse ai dëshironte fëmijë të tjerë. Ai më tha se gruaja e tij Vanessa dëshironte të provonte sërish për një djalë, por ishte, si shaka, e shqetësuar se do të lindte sërish vajzë”.

“Unë i thashë: “Katër vajza, oh Zot. Si do të ndiheshe, çfarë do të mendoje?”. Pa hezituar aspak, ai më tha: “Do t’i doja edhe pesë vajza po të mundja, unë jam baba i vajzave”.

“Kur vinte fjala te sporti, ai tha se vajza e tij e madhe ishte një volejbolliste e arritur dhe se për të voglën ende s’e dinte çfarë do të ndodhte pasi që ishte ende foshnje. Por, për vajzën e mesme më tha “Vajza e mesme është një bishë. Ajo është më e mirë sesa që isha unë në moshën e saj. Ajo e ka talentin””.

“Natyrisht, ai po fliste për Gigin [nofka e Giannas së ndjerë]. Kur reflektoj për këtë tragjedi dhe për atë gjysmë ore që e kalova me Kobe Bryant para dy vjetëve, i vetmi ngushëllim për mua është se ai vdiq duke e bërë atë që e donte më së shumti: duke qenë baba, baba i vajzave”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme