Gentijan Jerlia, portieri që premton, shpresë për Kosovën

Prishtinë | 29 Qer 2019 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Porta mbetet shqetësimi më i madh i Federatës dhe tifozëve të kombëtares së Kosovës në futboll, por një emër i ri në futbollin gjerman po i jep një fije shprese Kosovës.

14 vjeçari Gentijan Jerlija është në hapat e parë për t’u bërë portier.

I riu me origjinë nga Gjilani prej sezonit të ardhshëm do të luajë për ekipin e FC Victoria U17 në Regional Liga të Gjermanisë.

I lindur e rritur në Gjermani, Jerlija tregon se hapat e parë për t’u marrë me futboll i ka marrë nga babai Irfani i cili në vitet 1995-1997 kishte djersitur fanellën e klubit futbollistik Gjilani, por ishte detyruar të të largohej nga Kosova në kërkim të një jete më të mirë.

“Njëherë ja kam nisë me luajt në shpi me top, pastaj kanë ardhë babai e nëna më kanë pyetur se a po don me luajt top, tani kom shkuar me një ekip e kam provu. Babi ka qenë portier para luftës e ka pasur shumë të vështirë e tashti luaj për Victorian U17, mi ka dhënë hapat e parë për me u bë portier”, ka thënë 14 vjeçari nga Gjilani për Kallxo.com.

Gentijani deri tani ka qenë në një kamp nga Kosova U16 i grumbulluar në Grunberg të Gjermanisë. Ai pret që të luajë për Kosovën, pasi babai i tij nuk mund të realizonte këtë për arsye të gjendjes të jashtëzakonshme që ishte në Kosovë.

Ai thotë është në pritje të rregullimit të dokumenteve dhe pajisjes me pasaportë të Kosovës ndërsa pret ftesën nga Kosova U16.

“Babai im se ka luajtur në Kosovë e nuk ka mundur për arsye të luftës, për atë arsye mendoj që mundem me e bo vetëm me punë. Kam qenë në një kamp në Gjermani në Grunberg për Kosovën U16, e tashti pe priti ftesën”, shton ai.

Jerlia në sezonin e fundit ishte pjesë e skuadrës Tennis Borussia Berlin U15, por falë formës së mirë të treguar aty, tani ka ndërruar skuadër dhe prej sezonit të ri do të luaj në grupmosha më të mëdha për Victoria Berlin U17.

“Deri tashti kam qenë në Tennis Borussia Berlin U15 në Regional Liga, tashti kam shkuar në FC Victoria Berlin U17 në Regional Ligë. Victoria ma ka dhënë mundësinë me luajt për U17 edhe pse i kam 14 vite, kanë pasur besim te unë”, tregon ai.

Përpos që synim kryesor e ka t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës A, ai synim tjetër kryesor e ka që të luajë në Bundesligë dhe t’i ndjekë hapat e portierit të Barcelonës Marc-André ter Stegen.

“Synimi i im është të luaj në Bundesligë se jam lindur në Gjermani, atë frymë e kam. Synimi im është me u ba si portieri Ter Stegen”, përfundon portieri i ri skuadrës FC Victoria Berlin.

Të ngjashme