Gerrard e kritikon ashpër Chelsean përse ia shkarkoi mikun e ngushtë Lampard

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Rangers dhe legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard, e ka kritikuar ashpër Chelsean për shkarkimin e Frank Lampardit nga posti i trajnerit, por e ka pranuar se nuk është habitur kur e ka kuptuar se ish-bashkëlojtari i tij në Kombëtaren e Anglisë e kishte humbur punën.

Legjenda e të kaltërve u shkarkua nga posti i trajnerit të Chelseat të hënën, 18 muaj pasi u emërua pas vendimit të klubit për t’i ndarë rrugët me Maurizio Sarrin.

Pavarësisht statutit të legjendës së klubit dhe golashënuesit më të mirë në historinë e klubit, Lampard nuk ishte imun ndaj stilit emëro-shkarko të pronarit Roman Abramovich.

Chelsea ishte lider i Premierligës në fillim të sezonit, por një ecuri e rezultateve të dobëta bëri që të bjerë në pozitën e nëntë dhe kjo e pati për pasojë shkarkimin e Lampardit.

Gerrard thotë se ndihet i trishtuar dhe zhgënjyer për Lampardin, si dhe nënvizon se ai meritonte më shumë kohë.

Trajneri i Rangers tha: “Jam i trishtuar për Frankun, një mik i imi dhe një njeri për të cilin kam respekt shumë të madh. Por duke e njohur atë, e di që do të rikthehet sa hap e mbyll sytë.”

“Jam i zhgënjyer për të. Mendoj se u shkarkua shumë shpejt edhe pas një rezultati pozitiv në fundjavë. Nuk i di detajet dhe marrëdhëniet e tij me klubin”.

Ai shtoi: “Mendoj se kjo ishte një mundësi e mirë për Chelsean për ta ndihmuar atë gjatë një periudhe të vështirë shkaku i rezultateve të dobëta, e jo ta shkarkonte. Por Chelsea njihet historikisht për këtë, prandaj nuk çuditem”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme