Gjashtë anëtarë të bordit të Barcelonës japin dorëheqje dhe kritikojnë klubin

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Gjashtë anëtarë të bordit të klubit Barcelona kanë dhënë dorëheqje dhe i kanë thënë presidentit Josep Maria Bartomeu se janë të pakënaqur me mënyrën se si po menaxhohet klubi.

Në një letër të përbashkët, gjashtë anëtarët e dorëhequr kanë shprehur brengat e tyre lidhur me implikimet financiare në klub, pas krizës me koronavirus.

Ata gjithashtu kritikuan qasjen pas një skandali në muajin shkurt, kur klubi u detyrua të mohojë angazhimin e një firme për të sulmuar lojtarët e tij në rrjetet sociale.

Anëtarët e dorëhequr i kanë bërë thirrje Barcelonës që të shpallë zgjedhjet e reja presidenciale.

Emili Rousaud dhe Enrique Tombas, dy prej katër nënkryetarëve të klubit, kanë dhënë dorëheqje, së bashku me katër drejtorët, Silvio Elias, Josep Pont, Jordi Calsamigli dhe Maria Teixidor.

Barcelona dhe Bartomeu nuk kanë komentuar vendimin për dorëheqje.

“Ne kemi arritur në këtë pikë pasi nuk mund të ndryshojmë mënyrën e menaxhimit të klubit përballë sfidave të rëndësishme në të ardhmen, veçanërisht në epokën pas pandemisë”, thuhet në letrën e gjashtë drejtuesve që kanë dhënë dorëheqje.

“Po ashtu duam të shprehim pakënaqësinë tonë lidhur me episodin që kishte të bënte me rrjetet sociale, të njohur si ‘Barcagate’, për të cilin kemi mësuar përmes mediave. Si akt të fundit në shërbim të klubit, ne rekomandojmë që zgjedhjet të organizohen menjëherë pasi kushtet të mundësojnë, që klubi të menaxhohet në mënyrën më të mirë dhe të përballet me të gjitha sfidat e të ardhmes”.

Lojtarët e Barcelonës do të marrin paga 70 për qind më të ulëta gjatë pandemisë së koronavirusit dhe do të japin kontribute tjera për të garantuar që stafi i klubit të marr pagat e plota.

Bordi i drejtorëve të Barcelonës, anëtarët e ekipeve profesioniste të klubit dhe shumica e anëtarëve të ekipit të basketbollit po ashtu janë pajtuar që të reduktojnë të hyrat e tyre.

Të ngjashme