Gjashtë muaj pa legjendën Fadil Vokrri

Prishtinë | 09 Dhj 2018 | 09:23 | Nga Ekonomia Online

Sot janë bërë gjashtë muaj nga vdekja e legjendës së futbollit kosovar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili me punën gjatë karrierës së tij ka lënë gjurmë të thella në këtë sport.
Ish-futbollisti dhe ish-kryetari i FFK-së Vokrri vdiq më 9 qershor të këtij viti pas një sulmi në zemër, dy vite pasi e kishte anëtarësuar Kosovën në dy organet kryesore qeverisëse të futbollit ndërkombëtar, FIFA dhe UEFA, shkruan Gazeta Express.

Për ta nderuar figurën e tij me rastin e gjashtëmujorit të vjetorit, Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur se sot në orën 12:00 do të bëhen homazhe te varri i tij.

Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollit me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.

Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme