Gjenerata e ardhshme e superyjve të sportit

Prishtinë | 07 Shk 2020 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Në skenën më të madhe të sportit të futbollit amerikan lindi një superyll – Patrick Mahomes.

Në finalen e Ligës NFL, të njohur si Superbowl, Mahomes 24-vjeçar u përkujdes për kthesë të madhe, duke ndihmuar skuadrën e tij të shënojë 21 pikë, ndërsa Kansas City ngadhënjeu 31:20 ndaj San Francisco 49ers dhe fitoi Superbowlin. Me trofeun më të madh të fituar, Mahomes tash shikon para për të dominuar NFL-në në dekadat në vijim.

Por cilët do të jenë sportistët e tjerë të sporteve të mëdha që po pritet të dominojnë në sportet e tyre, shkruan sot Koha Ditore.

“Sportsmail” veçon disa nga talentet që pritet të pushtojnë sportin e tyre gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm.

Futboll – Erling Haaland

Kishte një periudhë këtë stinor ku ende ekzistonin pyetje rreth Erling Haalandit. Sigurisht, ai po shënonte gola në Ligën e Kampionëve, por po luante në një ligë më të vogël, në Bundesligë të Austrisë. Që kur kaloi te Borussia Dortmuni, ai ka shënuar shtatë gola në vetëm 133 minuta në Bundesligën gjermane dhe ka konfirmuar se nuk duhet dyshuar në të.

Iu deshën 34 minuta për të shënuar “hat-trick” në debutimin e tij. Ai është talent unik. Është i fortë, por pëlqen t’i mposhtë kundërshtarët në duele vrapimi. Ka aftësitë teknike të një lojtari më të shkurtër, pjesërisht pasi që deri vonë në shkollë të mesme ishte shtatshkurtër, para se të rritej në shtat shpejt. Për më tepër, ai është i varur për të shënuar gola dhe gjithmonë ndjek golin e tij të radhës.

Haaland 19-vjeçar është qartë talent i gjeneratës.

Boks – Daniel Dubois

Ai është vlerësuar si mbret në ardhje nga Tyson Fury, por është një nga boksierët më të frikshëm në kategorinë e rëndë dhe është favorit për të mposhtur medalistin e argjendtë olimpik Joe Joyce në përballjen e tij të radhës. Duhet pasur parasysh se Daniel Dubois është vetëm 22-vjeçar. Britaniku ka kaluar në boks profesionist dy vjet më parë, por po bëhet një yll në rritje. Nuk mund të dëgjoni ndonjë luftë të fjalëve apo fyerje nga ky i ri, ai flet në ring.

Kur Dubois lufton, pritet një përfundim spektakolar i meçit. Ai ka shkatërruar çdo kundërshtar të tij deri më tash, ku 13 nga 14 fitoret i ka arritur me ndërprerje.
Ai po ngjitet në renditje të peshës së rëndë më shpejt se që është pritur dhe një duel me yllin Anthony Joshua duket i paevitueshëm. Dhe me një qasje serioze në sport, duke mos u interesuar për gjëra tjera jashtë ringut, Dubois duket bast i sigurt për të marrë stafetën dhe për të ngritur flamurin e Britanisë lart në kategorinë e rëndë gjatë dekadës së radhës.

Të ngjashme