Gjermania nuk ka hapësirë për dështim edhe ndaj Suedisë

Prishtinë | 23 Qer 2018 | 09:30 | Nga

Kampionia në fuqi, Gjermania, e nisi keq botërorin. Paraqitja ndaj Meksikës ishte larg prej asaj që e kërkojnë tifozët e shumtë të Gjermanisë dhe larg prej paraqitjes që shkon në përputhje me pretendimin e gjermanëve për të mbrojtur titullin. Humbja 1:0 nga Meksika ishte e pashmangshme dhe u vlerësua shokuese.

Hirving Lozano shënoi golin që doli të jetë vendimtar në Moskë, ndërsa përzgjedhësi gjerman Joachim Loew mbeti i dëshpëruar me brishtësinë në mbrojtje. Në mënyrë jokarakteristike gjermanët ishin jokompakt, por duhet të shmangin humbjen në ndeshjen e dytë nëse duan të mos ndalen në grup për herë të parë që nga viti 1938, transmeton Koha Ditore.

Suedia shënoi në paraqitjen e parë në botëror në 12 vjet dhe mposhti Korenë e Jugut, duke iu falënderuar një penalltie të Andreas Granqvist. Kapiteni 33-vjeçar u bë lojtari më i vjetër që shënoi në botërorin e tij debutues, qëkur Martin Palermo si 36-vjeçar shënoi për Argjentinën në botërorin e vitit 2010.

Suedezët njëkohësisht i dhanë fund pritjes 60-vjeçare, pasi nuk kishin fituar ndeshjen hapëse në botëror që nga viti 1958, kur Kupa e Botës u mbajt pikërisht në Suedi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme