Gjibraltari, mundësi e pashfrytëzuar për “dardanët”

Prishtinë | 03 Tet 2019 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Miqësorja me Gjibraltarin pritet t’i shërbejë së tepërmi trajnerit Bernard Challandes dhe Kosovës para sfidave vendimtare për kualifikim në “Euro 2020”.

Miqësorja me një prej përfaqësueseve më të liga në Evropë, që luhet më 10 tetor në Prishtinë, mund të shërbejë për të provuar skema të ndryshme për ndeshjen eliminatore të pas katër ditëve ndaj Malit të Zi, po në Prishtinë, por edhe për t’u dhënë rastin lojtarëve që deri më tash nuk e kanë pasur, shkruan sot Koha Ditore.

E Challandes ka në përbërje shumë lojtarë që i ka shfrytëzuar pak ose aspak, duke nisur me kapitenin Samir Ujkani, që nuk qëndron në portën e Kosovës që prej nëntorit të vitit të kaluar.

Vendin e tij mes shtyllave të Kosovës, nga atëherë e ka zënë Arijanet Muriq, që po ashtu nuk po kalon formë të mirë.

Ujkani ka kaluar periudhë të vështirë sezonin e shkuar, pasi kaloi te skuadra turke Rizespor, por luajti gjithsej pesë ndeshje. Tash është kthyer në Serie A, te Torino ku është portier rezervist.

Gjibraltari mund të jetë mundësi e artë për Ujkanin për të qenë sërish kapiten i Kosovës në fushë.

Ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, thotë se miqësorja me Gjibraltarin do t’u shërbejë “dardanëve” në shumë aspekte, përfshirë këtu edhe aktivizimin e lojtarëve me minutazhë të vogël.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme