Gjibraltari, testi final i Kosovës para ndeshjes së rëndësishme

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 10:27 | Nga Ekonomia Online

Dy lojtarë që mund ta fitojnë rastin ndaj Gjibraltarit, kanë folur të martën mbrëma në konferencën e zakonshme të përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Kosova të enjten nga ora 18:00 takohet në “Fadil Vokrri” me Gjibraltarin, ndërsa portieri Samir Ujkani dhe sulmuesi Atdhe Nuhiu mund ta fitojnë rastin në këtë sfidë, pasi në kohët e fundit nuk i janë ndarë stolit, shkruan sot Koha Ditore. 

Ujkani, Nuhiu dhe shumica e lojtarëve të tjerë kanë zhvilluar një stërvitje me intensitet të plotë të martën mbrëma. Për shkak të shqetësimeve të vogla shëndetësore, i lirë të martën është lënë Vedat Muriqi, kurse Milot Rashica ka stërvitur i ndarë nga grupi, për shkak të kthimit të vonshëm nga lëndimi.

Të tjerët kanë stërvitur sipas planit të përzgjedhësit Challandes, që ndeshjen e së hënës ndaj Malit të Zi e kishte vlerësuar si më të rëndësishmen në histori të Kosovës.

Ndeshja e së enjtes ndaj Gjibraltarit do të vihet në shërbim të plotë të ndeshjes vendimtare eliminatore me Malin e Zi, kurse do t’i shërbejë Challandesit edhe për të testuar lojtarë që luajnë pak me Kosovën e pak me klubet e tyre. Ujkani është rezervist te Kosova e rezervist te skuadra e tij, Torino.

“Besoj që jemi në gjendje të mirë. Jemi grumbulluar dhe po përgatitemi për ndeshjen me Malin e Zi, që është ndeshje shumë e rëndësishme. Por fillimisht të enjten e kemi Gjibraltarin, që është një test i mirë para kësaj ndeshjeje të madhe. Jemi optimistë për të vazhduar me ritmin e duhur. Ka ardhur koha që të provohen edhe lojtarët që nuk kanë luajtur shumë, pasi kemi mjaftueshëm lojtarë në ekip dhe të gjithë duan të tregojnë se janë të gatshëm. Për ne çdo ndeshje është si finale dhe nuk duhet të shikojmë shumë tabelën. Duhet të provojmë të fitojmë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë deri në fund”, ka thënë Ujkani, që për kohë të gjatë ishte portieri i parë i Kosovës.

Kosova në nëntor luan në udhëtim me Çekinë e më pas e pret Anglinë në përmbyllje të eliminatoreve për “Euro 2020”. Kosova po zhvillon garë me Çekinë për vendin e dytë në grup që siguron kualifikimin direkt. Aktualisht Çekia ka një pikë më shumë se Kosova.

“Ndeshja me Malin e Zi është e rëndësishme sikur edhe duelet me Çekinë e Bullgarinë. Po shpresojmë të kemi rezultat të mirë edhe me Malin e Zi. Ndeshja ndaj Gjibraltarit është test dhe parapërgatitje për Malin e Zi. Në Podgoricë kemi treguar cilësitë tona, por Mali i Zi ka ekip të fortë. Gjithsesi ne luajmë në shtëpi ku e kemi përkrahjen e madhe të shikuesve.

Do të futemi me mentalitet fituesi dhe duam të marrim pikët e plota. Edhe ndaj Malit të Zi do të luajmë me filozofinë dhe mentalitetin që e kishim deri më tash”, ka thënë sulmuesi Nuhiu.

Përgatitjet po i vazhdon edhe Mali i Zi, që fillimisht të premten luan ndaj Bullgarisë. Te Mali i Zi, ndonëse janë jashtë garës për kualifikim, kanë synim të paraqiten pozitivisht në të dyja ndeshjet. Kjo do të nënkuptonte prishje të planeve të Kosovës, që “dardanët” premtojnë se nuk do ta lejojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme