Gjimshiti: Doja të fitonte Interi, e ardhmja në dorë të Atalantës

Prishtinë | 29 Pri 2018 | 09:20 | Nga

Në emisionin ‘Zona Gol’, në Supersport ishte i ftuar qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Nga grumbullimi me skuadrën e Beneventos, mbrojtësi foli për derbin e Italisë, të ardhmen e tij dhe pritshmëritë nga kombëtarja shqiptare.

“Zona Gol”: E ndoqe ndeshjen mes Interit dhe Juventusit?

Gjimshiti: Ishte një takim shumë interesant, me shumë gola dhe përmbysje. Ishte e bukur për çdo tifoz të futbollit. Isha për fitore të Interit, por për fat të keq fitoi Juventusi.

“Zona Gol”: Javën e kaluar shtangët Milanin…

Gjimshiti: Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por për fat të mirë ia dolëm dhe morëm fitoren. Ishte befasi për shumë njerëz, por ne ia dolëm.

“Zona Gol”: Ku do jetë e ardhmja juaj?

Gjimshiti: Në fakt tani kemi rënë nga Seria A me Beneventon dhe këtu është një situatë pak e rrëmujshme. Nuk e di ku do jem sezonin e ardhshëm, pasi unë jam i huazuar te Benevento. Kartonin tim e ka Atalanta dhe në fund të sezonit do të vendos bashkë me ta për të ardhmen.

“Zona Gol”: Ku ndryshon kampionati italian, nga ai zviceran dhe ku e gjen më shumë veten?

Gjimshiti: Këtu është niveli shumë më i lartë dhe ka më shumë konkurrencë. Gjithçka ndryshon dhe ka një nivel krejt tjetër në Itali, krahasuar me Zvicrën.

“Zona Gol”: Me Norvegjinë u latë në stol. Çfarë ndjesie të dha ajo ndeshje dhe a pret të luash titullar në vijim?

Gjimshiti: Unë respektoj vendimin e trajnerit, si në klub edhe në kombëtare. Kam qejf të luaj titullar dhe mundohem të përmirësohem sa më shumë, ndërsa më pas i takon trajnerit të vendosë për formacionin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme