Gjokoviqi e falënderon Vuçiqin për mbështetje sa ishte nën arrest në Australi

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Novak Gjokoviq ka falënderuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mbështetjen e tij gjatë kohës sa mbahej nën arrest nga autoritetet australiane.

“Dëshiroja të takohem me ju sot sepse, para së gjithash si qytetar i Serbisë, ndjeva nevojën e madhe t’ju falënderoj për mbështetjen e madhe që më dhatë ju si president i Serbisë, si dhe të gjitha institucionet shtetërore gjatë ngjarjeve fatkeqe në Australi”, tha Gjokoviq.

“Edhe pse isha vetëm në paraburgim dhe përballesha me shumë probleme dhe sfida, nuk po ndihesha i vetmuar. Kam pasur mbështetje të madhe, në radhë të parë nga familja ime, të gjithë njerëzit e afërt të jetës sime, i gjithë populli serb, shumë njerëz me qëllime të mira nga rajoni dhe bota”, u shpreh tutje ai.

Gjokoviq përcjelli turneun përmes televizorit, teksa Rafael Nadal fitoi titullin e 21-të Grand Slam, shkruan Independent.

Serbi mund të ketë shansin për t’u barazuar me Nadalin në French Open, në muajin maj, por pjesëmarrja e tij në Roland-Garros nuk është aspak e garantuar. Rregullat e qeverisë franceze ndalojnë individët e pavaksinuar nga arenat sportive, gjë që mund t’i mohojë Gjokoviqit mundësinë për të fituar një tjetër Grand Slam.

Të ngjashme