Gjyqtari spanjoll: Ndërhyrja e Smallingut ndaj Messit ishte e rregullt

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Gjyqtari spanjoll, Iturralde Gonzalez, e ka analizuar incidentin kontrovers mes Chris Smallingut dhe Lionel Messit dhe pretendon se gjyqtari i ndeshjes Manchester United – Barcelonë pati të drejtë që nuk i dha goditje të lirë katalonasve për atë ndërhyrje.

Fitorja minimale 1:0 në Old Trafford është rezultat i mirë për Barcelonës, mirëpo Lionel Messi pësoi në një duel me mbrojtësin e Manchester Unitedit, Chris Smallingun. Argjentinasi pati vështirësi në frymëmarrje dhe me shikimin pas kësaj përplasjeje.

Qendërmbrojtësi i “Djajve të kuq”, Chris Smalling, ishte treguar optimist para ndeshjes për përballjen me pesë-herë fituesin e Topit të Artë, Lionel Messi, duke thënë: “Ma sillni atë këtu”.

Gjatë ndeshjes, e cila përfundoi me rezultat 1:0 për katalonasit, Smallingu e dëshmoi se me të vërtetë e kishte ndërmend ta ndalte argjentinasin, në çfarëdo mënyrë. Ai e gjakosi Messin në pjesën e parë, por gjyqtari Gianluca Rocchi as nuk i dha goditje të lirë Barcelonës për këtë ndërhyrje.

Me këtë vendim të Rocchit, pajtohet edhe gjyqtari spanjoll Gonzalez, i cili beson se incidente të tilla ndodhin shumë shpesh në futboll.

“Ai e bëri kontaktin me trup, mirëpo nuk ishte e qëllimshme. Në vazhdim, ai e goditi me bërryl. Messi u rrëzua, mirëpo ata ishin në luftë për topin. Mendoj se nuk ishte e qëllimshme”, u shpreh Gonzalez.

Përveç që në fushë ishte e qartë se po i rridhte gjaku nga fytyra, Messi e pësoi një blanë, e cila po i shqetëson katalonasit.  Argjentinasi mori trajtim mjekësor në fushë menjëherë e pastaj ishte në gjendje për ta vazhduar lojën.

Sipas të përditshmes spanjolle, AS, ylli i Barcelonës nuk mbeti me hundë të thyer, mirëpo pati vështirësi me frymëmarrjen për shkak të lëndimit të ashtit të hundës. Si pasojë, ai u detyrua të merrte frymë përmes gojës.

Madje, lajmet e këqija nuk përfunduan këtu për Messin. AS raporton se lëndimi në vetull bëri që ai të mos shohë mjaftueshëm mirë me syrin e majtë.

Barcelona e mori këtë rezultat të mirë në “Old Trafford” përkundër paraqitjes jobindëse, pasi që “Djajtë e kuq” nuk u treguan aspak të saktë në fazën e sulmit. Ndeshja kthyese do të zhvillohet më 16 prill në Camp Nou.

Të ngjashme