Gjysmëmaratona “Prishtina 2018” mbahet më 29 prill, mbledh garues nga rajoni e bota

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 16:57 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli Organizues i Gjysmëmaratonës Ndërkombëtare “Prishtina 2018” ka mbajtur konferencë për medie në të cilën ka dhënë informacionet kryesore rreth organizimit të gjysmëmaratonës së këtij viti.

Sivjet kjo gjysmëmaratonë do të mbahet më 29 prill, nga ora 10:00.

Edicioni i 18-të i gjysmëmaratonës “Prishtina 2018”, mbledh garues kualitativë nga rajoni dhe nga shumë vende të botës.

Disiplina kryesore do të jetë gara 21 kilometra, ndërsa disiplina të tjera do të jenë vrapimi 5 kilometra, vrapimi për fëmijë, vrapimi i personave me aftësi të kufizuara.

Regjistrimet për pjesëmarrje në këtë garë bëhen para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, nga 21 deri më 28 prill, prej orës 09:00 deri në 18:00.

Kryetari i Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, tha se do të ketë pjesëmarrës nga shumë vende të botës.

Ai shtoi se kjo garë u bënë mirë qytetarëve dhe sportit sepse do të sjellin sportistë nga vende të shumta të botës e me këtë edhe promovimin e Kosovës.

“Federata e Atletikës në bashkëpunim me Drejtorinë e Sportit në MKRS dhe Drejtorinë e Sportit në Prishtinë do të vazhdojmë këtë garë. Kemi pasur shumë garues nga shumë vende të botës. Që nga fillimi kemi qenë të hapur të organizojmë këtë garë e cila ka moton për paqe, pa dallim. Do të ndihmojnë Policia e Kosovës, FSK, Teatri etj. Me këtë organizim i bëjmë mirë sportit, qytetarëve sepse sjellim sportistë nga bota dhe promovojmë shtetin tonë”.

Në konferencë u bë e ditur se fondi i shpërblimeve të kësaj gare është 13 mijë euro.

Zëvendësdrejtoresha e Departamentit të sportit në MKRS, Afërdita Fazliu, tha se vazhdimisht kanë mbështetur këtë garë dhe kështu do të veprojnë edhe në të ardhmen.

Ajo tha se synojnë që këtë gjysmëmaratonë ta shndërrojnë në maratonë.

“Kjo garë lidhet edhe me zhvillimin e Departamentit të sportit në MKRS. Në vazhdimësi kemi qenë në mbështetje, me gëzon fakti që pas 18 viteve është bërë aktivitet tradicional. Ne si Ministri kemi pasë sfida për këto 18 vite. Neve na bën të ndihemi krenarë, nga gëzon fakti që edhe në aspektin financiar, Federata ka bindur afër 70 sponzorë të jenë në këtë aktivitet. Ne mendojmë që Federata ka kapacitete të organizojë këtë gjysmëmaratonë dhe ne do të ndihmojmë që gjysmëmaratona të kthehet në maratonë. MKRS do të jetë deri në ato momente që Federata do të ketë nevojë për mbështetjen e shtetit. Nëse vitin e kaluar i kemi pasur 1000 pjesëmarrës, interes i yni është që sivjet të kemi 1500 pjesëmarrës”.

Fatlum Grajcevci, drejtor teknik i garës, tha se në këtë edicion ka pasur numër më të madh të interesuarve, garues të rinj që s’kanë marrë pjesë më herët.

“Garuesit nëse e kryejnë garën do të kenë mundësi të marrin medalje dhe certifikatë. Edhe viteve të kaluara kemi pasë kontakte me menaxherë. Nëse kemi ne mjete me ua heqë garuesve transportin, konkurrenca do të ishte e madhe, por me këtë buxhet mundësitë janë këto. Çdo vit kemi garues që nuk kanë vrapuar në edicionet e kaluara. Sa i përket elitës është çështje e mjeteve ,sepse duhet me iu plotësu kushte”.

Artan Muhaxhiri, zëdhënës i kësaj gjysmëmaratone, bëri të ditur se sivjet për herë të parë do të botohet edhe magazina e gjysmëmaratonës.

“Për herë të parë sivjet do të jetë edhe magazina për të promovuar. Sivjet gara do të mbulohet edhe me dron, do të jenë diku rreth 15 kamera. Më gëzon fakti që sivjet janë afruar edhe vullnetarë të huaj.

Pagesa për pjesëmarrësit vendasë do të jetë 5 euro, ndërsa për ata ndërkombëtarë 15 euro.

Shtegu i vrapimit do të jetë: Teatri Kombëtar – Fushë Kosovë – Obiliq dhe sërish para teatrit.

Të ngjashme