Gotze s’e ka të sigurt të ardhmen në Dortmund

Prishtinë | 14 Jan 2020 | 09:05 | Nga Ekonomia Online

Drejtori sportiv i Borussia Dortmundit, Michael Zorc, ka insistuar se ende nuk është marrë asnjë vendim për të ardhmen e Mario Gotzes në klubin e Bundesligës.

27-vjeçarit Mario Gotze do t’i përfundojë kontrata në fund të sezonit dhe ai është përfolur për një largim nga Dortmundi, pasi ka qenë titullar në vetëm pesë ndeshje këtë sezon.

Gjermani e kishte pasur edhe një periudhë tjetër me Dortmundin më herët në karrierën e tij, kur kishte arritur ta fitonte dy herë titullin e Bundesligës dhe një herë të Kupës së Gjermanisë, para transferimit në Bayern Munich.

Këtë herë, Gotze nuk ka arritur të luajë ashtu siç kishte bërë herën e parë në Dortmund, duke shtuar kështu spekulimet për të ardhmen e tij.

Drejtori sportiv i Dortmundit, Zorc, tha se dy palët nuk kanë vendosur ende për të ardhmen e Gotzes, mirëpo do të bisedojnë për ta bërë këtë gjë.

“Nuk kemi vendosur ende. Natyrisht se edhe ai do të dëshironte të luante më shumë minuta. Ne po bisedojmë me të”, ka thënë Zorc.

“Unë fola me babanë e tij para Krishtlindjeve. Pastaj, fola sërish me të në Marbella. Ne do të takohemi sërish në pranverë dhe do ta marrin një vendim përfundimtar”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme