Grekët e hoqën shkaku i “shqiponjës”, Batha: Nëse kanë probleme me simbolet tona…

Prishtinë | 05 Kor 2018 | 09:45 | Nga

Idriz Batha është ndier i fyer nga mënyra se si e ka trajtuar klubi grek i Larisës. Ish-kapiteni i Partizanit dhe një ndër më të spikaturit në rolin e tij në kampionatin shqiptar, thotë se askush nuk mund ta ndalojë një shqiptar që të bëjë shenjën e shqiponjës.

I zhgënjyer për mënyrën se si shkoi aventura e tij me Larisën, lojtari pohon se nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me zyrtarë të klubit, por ka firmosur një kontratë nëpërmjet e-mailit dhe vetëm kaq. “Mbeta keq kur mora vesh lajmin se kanë prishur marrëveshjen që kishim me Larisën. Më kanë përmendur disa foto me simbole shqiptare, por kjo është qesharake. Është fyerje e madhe”, thotë Batha për “Panorama Sport”.

Batha, pse nuk shkuat te Larisa?

Sepse në fund klubi grek vendosi të prishte marrëveshjen.

A jeni i zhgënjyer?

Normalisht që po. Është dëmtim i imazhit. Nuk ndodhi asgjë që nga koha që arritëm marrëveshjen dhe deri tani që të prishin kontratën. Pra, nuk ndodhi asgjë e rëndë. Unë nuk kam shkelur asnjë rregull futbollistik dhe asnjë ligj kombëtar apo ndërkombëtar. Jam po ai që isha.

Pse e prishi marrëveshjen me ju Larisa?

Kanë disa pretendime, që për mua janë absurde. Disa në fakt ende i kam të paqarta, sepse nuk kam pasur kontakte direkte me ta. Kontaktet i ka pasur agjencia menaxheriale që bëri të mundur arritjen e kësaj marrëveshjeje mes meje dhe klubit grek.

Mes pretendimeve të tyre, në komunikatë thuhej se ju “keni prirje për Shqipërinë e Madhe”, duke iu referuar edhe disa fotove tuaja me shqiponjën…

E di, e mësova nga media këtë gjë. Është fyerje shumë e madhe. Realisht ndihem shumë i fyer për këtë. Unë shqiptar nuk u bëra pasi firmosa te Larisa… Shqiptar isha edhe kur firmosa atje. Nuk mund të sillet kështu një klub profesionist. Më kanë cenuar rëndë imazhin dhe besoj se kjo çështje do të shkojë në FIFA. Është e papranueshme!

Ju keni kontaktuar pas kësaj me zyrtarë të klubit?

Jo, asnjë kontakt nuk kam pasur me ta. Mua më kontaktoi një agjenci menaxheriale e huaj, me të cilët gjithashtu nuk kam pasur kontakt ballë për ballë, por vetëm komunikim në distancë. Më ofruan kontratën, pashë kushtet dhe firmosa. Kaq.

Pra, ju nuk e keni takuar ndonjëherë menaxherin që ju bëri të mundur ndërmjetësimin për të firmosur te Larisa?

Jo, asnjëherë. Më lidhi një miku im me agjencinë dhe më pas janë marrë ata. Nuk kam kontaktuar asnjëherë as me menaxherin dhe as me klubin grek.

Po vizitat mjekësore i kryet atje?

Jo, ende. Pasi firmosa kontratën nëpërmjet emailit prisja që të më ftonin dhe të bëja vizitat, por qoftë edhe prezantimi. Por, ata më thoshin vazhdimisht “prit se na ka dalë një problem”. Prita dhe ja ku dolën më pas me këtë komunikatë, që për mua është ofenduese.

Çfarë do të ndodhë tani?

Do shoh se çfarë do të bëjë agjencia që e mori përsipër transferimin. Shpresoj shumë që të kemi letrat në rregull dhe të shkojmë në FIFA. Më kanë cenuar imazhin, pa të drejtë. E dinin që isha shqiptar që në fillim, nuk mund të silleshin kështu. Dhe sa për atë punën që “kanë shumë serbë në ekip dhe ndihen keq që unë kam bërë shqiponjën”, po ju them se edhe unë kam pasur serbë te Partizani, madje aq të mira i kishim raportet, saqë Raçiçi bënte shqiponjën me ne… Kjo nuk ka lidhje fare. Unë e përsëris: jam shumë krenar që jam shqiptar dhe nëse kanë pasur hallin e shqiponjës, më mirë që shkoi kështu.

Ju keni disa foto në rrjetet sociale, duke bërë shqiponjën apo edhe me ndonjë flamur “autochtonus”. A jeni bërë pishman që i keni postuar ato?

Asnjëherë. E theksoj, jam shqiptar dhe jam në të drejtën time të bëj apo të krenohem me simbolet e vendit tim. Nuk kam provokuar askënd dhe nuk mendoj se ato duhet të konsiderohen provokim për dikë. Nëse ata (klubi) kanë pasur problem me shqiponjën, atëherë më mirë që shkoi kështu.

Të ngjashme