Guardian: Kosova e kënaq publikun, lufton për së paku vendin e dytë në grup

Prishtinë | 12 Qer 2019 | 14:30 | Nga Ekonomia Online

Gazeta prestigjioze britanike, The Guardian, e ka vlerësuar Kosovën si Kombëtaren që e kënaq më së shumti publikun me lojën e saj në fushën e futbollit, si dhe shkruan se “Dardanët” do të luftojnë për të paktën vendin e dytë në grup.

Fitorja e Kosovës me rezultat 3:2 në Sofje kundër Bullgarisë bëri që The Guardian ta përmendë paraqitjen e “Dardanëve” në mesin e temave kryesore të futbollit të kësaj jave.

Me këtë fitore, Kosova radhitet e treta në Grupin A për kualifikim në EURO 2020, pas Republikës Çeke dhe Anglisë. Në shtator, skuadra e Bernard Challandes do të luajë pikërisht kundër këtyre dy Kombëtareve, në “Fadil Vokrri” me Çekinë, ndërsa në “St. Mary’s” me Anglinë.

“Disa dyshime u ngritën kur Federata e Futbollit e Anglisë lajmëroi se Anglia do ta presë Kosovën në St Mary’s e jo në Wembley në shtator. A nuk ishin djelmoshat e Bernard Challandes edhe aq kundërshtarë?”, shkruan The Guardian.

“Askush me sado pak njohuri nuk do t’i nënvlerësojë ata në fushë: Fitorja e së hënës me rezultat 3:2 kundër Bullgarisë – e vendosur nga goli me kokë në minutën e 92-të nga Elbasan Rashani në mes të festimeve të çmendura – bëri që Kosova të jetë e pamposhtur që 14 ndeshje”.

“Më së paku, Kosova do të luftojë kundër Republikës Çeke për pozitën e dytë në tabelën e Grupit A. Skuadra e Challandes janë të shkëlqyeshëm në posedim të topit dhe fituan në Sofje përkundër që u mundoi Arbër Zeneli, njëri ndër anësorët e tyre të nivelit më të lartë”.

“Anësori tjetër, Milot Rashica, kontribuoi me gol dhe asist. Ata mund të mos e mbushin ende stadiumin Wembley, por është e vështirë ta mendosh ndonjë Kombëtare që e kënaq më shumë publikun sesa Kosova në Evropë momentalisht”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme