Guardiola: Bournemouth, rivali më i fortë i City-it

Prishtinë | 18 Sht 2016 | 10:06 | Nga

Pep Guardiola e ka përshkruar Bournemouth si skuadrën më të mirë me të cilën Manchester City është përballur në këtë sezon një javë pas përballjes së parë me United e Jose Mourinho-s në Premier League.

Manchester City ka marrë një fitore 4-0 në shtëpi kundër ekipit të Eddie Howe, por Guardiola është befasuar nga loja e miqve, që ka vënë në vështirësi lojtarët e tij në disa momente të ndeshjes.

Trajneri spanjoll, i cili duket se ka kritikuar në mënyrë indirekte rivalët e përjetshëm të City-it, ka thënë se rivalët e tjerë me të cilët është përballur deri tani në këtë sezon kanë luajtur vetëm me topa të gjatë.

“Bournemouth ka qenë skuadra më e mirë kundër së cilës kemi luajtur deri tani. Na kanë krijuar më shumë probleme në krahasim me skuadrat e tjera kur kanë pasur topin në zotërim. Të tjerët kanë luajtur vetëm me topa të gjatë”, ka thënë Guardiola.

“Ata kanë dashur të luajnë dhe presingu ynë i lartë në pjesën e parë nuk ka qenë perfekt. Kemi bërë një paraqitje të mirë dhe kemi përdorur shumë kundërsulmin. Më pas diferencën e ka bërë cilësia e mesfushorëve dhe sulmuesve tanë. Nuk do ta pranojë se ka qenë një fitore e lehtë sepse kemi punuar shumë për të arritur në këtë nivel. Bournemouth është skuadra më e mirë me të cilën jemi përballur në pesë ndeshjet që kemi luajtur në kampionat”, ka përfunduar Pep.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme