Guardiola: Humbja ndaj Barcës nuk do të ketë ndikim tek Liverpool

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 18:33 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, beson se rivalët e tij për titullin, Liverpool, nuk do të ndikohen nga humbja e pësuar në garat e Ligës së Kampionëve.

Liverpool është mposhtur nga Barcelona me rezultatin 3:0 dhe do të ketë punë shumë të vështirë në ndeshjen e kthimit në ‘Anfield’.

Gjithsesi, Liga e Kampionëve nuk është objektivi i vetëm për ‘The Reds’, pasi ata luftojnë edhe për Premierligën të cilën nuk e kanë fituar në 30 vitet e fundit.

Për të mbajtur nën presion liderët e Manchester City, Liverpool duhet të triumfojë në ndeshjen kundër Newcastle United. Për këtë ndeshje, sipas Guardiolas, ‘Reds’ nuk do të jenë të ndikuar nga humbja e Ligës së Kampionëve.

“Nuk mendoj kështu, ndeshja ishte e mirë nga të dy skuadrat. Liverpool ishin të jashtëzakonshëm dhe patën paraqitje shumë të mirë. E shijova ndeshjen” ka thënë Guardiola, transmeton lajmi.net.

“Nuk mendoj se do t’i afektojë ata, mendoj se nuk do të jetë e lehtë ndaj Newcastle, por ata do të përgatiten për fitoren” ka shtuar spanjolli.

“Mendoj se Barca u mbrojt shumë mirë, ata mposhtën një skuadër të mirë. Liverpool duhet të jenë krenar për atë që kanë bërë, në një prej stadiumeve më të vështira” ka thënë ai tutje, duke komentuar takimin e Ligës së Kampionëve.

Tutje, trajneri ka konfirmuar para ndeshjes me Leicester se De Bruyne do t’i mungojë skuadrës, si dhe është shprehur i pasigurt për paraqitjen e Fernandinho, i cili vuan nga gjuri.

Të ngjashme