Guardiola: Liverpooli s’ka asgjë në duar

Prishtinë | 07 Maj 2019 | 09:34 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, beson se Liverpooli po luan pa asnjë presion pasi që nuk e ka garën për titull në duar, në dallim me skuadrën e tij.

Manchester City u kthye në kreun e Premierligës të hënën falë fitores 1:0 si mysafir kundër Leicester Cityt. Kjo fitore iu dha skuadrës së Pep Guardiolës falë një supergoli nga largësia nga kapiteni Vincent Kompany.

Guardiola dhe skuadra e tij do të përballet me Brightonin në xhiron e fundit të këtij sezoni të Premierligës. Fitorja e 14-të radhazi do t’ia siguronte titullin e kampionit të Anglisë skuadrës së “Citizens”.

Përkundër që gara për titull është në duart e Manchester Cityt, Liverpooli nuk është dorëzuar. Skuadra e Jurgen Kloppit i ka fituar tetë ndeshjet e fundit të Premierligës, si dhe është në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Guardiola dhe Kloppi kanë treguar shumë respekt për njëri-tjetrin përkundër garës së zjarrtë për titullin e Premierligës. Megjithatë, trajneri spanjoll u ka hyrë lojërave të mendjes tani që xhiroja përfundimtare po afrohet.

“Problemi është mënyra se si luajtëm. Ne fituam 1:0 kundër Burnleyt, mirëpo kundërshtarët nuk e patën asnjë korner, asnjë goditje drejt portës. Ne e kontrolluam ndeshjen. Jemi skuadër shumë më e mirë sesa kundërshtarët”, ka thënë Guardiola.

“Ishte e pabesueshme se si luajtëm në pjesën e dytë, veçanërisht sa i përket personalitetit dhe karakterit që shfaqem. Ne e dimë se sa e vështirë është t’i kontrollosh emocionet për të luajtur… duke e ditur se nëse nuk fiton, nuk do të bëhesh kampion”.

“Në fund të fundit, Liverpooli po luan tani pa asnjë pikë presioni sepse ata e dinë që kjo nuk është në duart e tyre. Kështu që e kanë të lehtë të luajnë ndeshje të tilla. Ne kemi më shumë presion sepse nuk mund të humbasim sepse e kemi në dorë garën për titull. Ne e meritojmë të jemi në këtë pozitë”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme