Haaland mungon në ndeshjen e ardhshme, Dahoud gjithë edicionin

Prishtinë | 29 Maj 2020 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Superylli i Borussia Dortmundit, Erling Haaland do të mungoj në ndeshjen e ardhshme ndaj Paderbornit, ndërsa Mo Dahoud nuk do të luajë më këtë edicion, ndonëse vetëm së fundi ka gjetur formën. Këtë e ka bërë të ditur trajneri i Dortmundit, Lucien Favre të premten.

Haaland ka shënuar dhjetë gola në 11 ndeshje në Bundesligë, prej se kaloi nga Salzburgu te Dortmundi në janar. Ai ka telashe me gju, ndërsa Dahoud ka një lëndim të gjurit, ka thënë Favre të premten, para ndeshjes në udhëtim ndaj Paderbornit, të dielën.

Dortmundi ka mbetur shtatë pikë prapa Bayernit, pas disfatës 1:0 nga bavarezët të martën.

Dahoud ka startuar në të gjitha tri ndeshjet pas rifillimit të Bundesligës dhe është dukur se po e kthen vetëbesimin.

“Secilit lojtar i duhet vetëbesimi dhe Mo ka luajtur mirë në Wolfsburg e edhe më mirë ndaj Bayernit. Ka të bëjë me paraqitjen në fushë dhe vetëbesimin”, ka thënë Favre.

Ai nuk është i dëshpëruar me paraqitjen ndaj Bayernit, me gjithë rezultatin negativ. Drejtori sportiv i Dortmundit, Michael Zorc ka thënë se mungesa e shikuesve ka ndikuar në paraqitjen e skuadrës.

“Avantazhi si vendas është humbur në mungesë të tifozëve. Natyrisht, do të doja të kishim tifozët tanë të martën. Nëse do të luanim me disavantazhin 1:0 në pjesën e dytë para tifozëve tanë të zjarrtë në tribunën jugore, shumë gjëra do të ishin të mundshme”.

Të ngjashme