Haaland synon t’i prijë grupit të golashënuesve në Bundesligë

Prishtinë | 24 Jan 2020 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Erling Haaland përfundimisht e di se si duhet të impresionojë dhe të lërë përshtypje të mirë te të gjithë. Sulmuesi 19-vjeçar nga Norvegjia u fut nga banka e rezervistëve për të realizuar “hat-trick” për Borussia Dortmundin në debutimin e tij në Bundesligë vikendin e shkuar.

Ndërsa të premten (sot), Haaland sipas të gjitha gjasave do ta regjistrojë ndeshjen e parë si titullar në duelin që Dortmundi e luan kundër Koelnit në kampionat.

“Nëse e huq një rast shënimi në stërvitje, Haaland nervozohet. Është fantastike për mua si trajner të stërviti një lojtar të tillë. Haaland sjell kënaqësi, dhe kjo është gjë e mirë për të gjithë ekipin”, ka thënë trajneri i Dortmundit, Lucien Favre, shkruan sot Koha Ditore.

Shpërthimi i Haalandit te Red Bull Salzburgu tregoi se në futboll ka ende hapësirë për qendërsulmuesit tradicional, madje edhe me ndryshimin e strategjive dhe formacioneve. Robert Lewandowski është një shembull tjetër. Sulmuesi i Bayern Munichut ka shënuar 20 gola në 18 ndeshje të Bundesligës këtë sezon, falë kombinimit të fuqisë, ritmit dhe përfundimit vrasës.

Pastaj aty është edhe sulmuesi tjetër, Timo Werner. 20 golat e tij kanë bërë që RB Leipzigu të ngjitet në krye të klasifikimit, por Werner është tjetër tip i lojtarit. E kaluara e Wernerit si sulmues krahu është e dukshme edhe tash kur driblon kundërshtarët dhe kombinon, por shumë rrallë shihet si kërcënim në lojën në ajër.

Të ngjashme