Hamiltoni e barazon rekordin e Schumacherit në Formula 1

Prishtinë | 11 Tet 2020 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton, e ka barazuar rekordin e Michael Schumacherit për fitore të shënuara në këtë seri të garave. Piloti i Mercedesit sot e ka fituar garën e Shpërblimit të Madh të Eifelit, duke e shënuar fitoren e 91-të në karrierën e tij në Formula 1.

Për Hamiltonin është fitorja e shtatë këtë edicion, ndërsa ai ka një eprësi prej 69 pikëve ndaj finlandezit të Mercedesit, Valtteri Bottas, dhe deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe gjashtë gara.

Hamiltoni është rrugës së mbarë për të barazuar rekordin e Schumacherit edhe për tituj të fituar. Schumacheri i kishte fituar shtatë tituj gjatë karrierës.

I dyti në garën e sotme doli Max Verstappen i Red Bullit, ndërsa i treti Daniel Ricciardo i Renaultit. Valtteri Bottas për herë të parë këtë edicion dështoi të përfundonte një garë.

Të ngjashme