Haradinaj: Kosova përfaqësohet më së miri në arenën ndërkombëtare përmes sportit

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 15:33 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim delegacionin e Aleancës Globale për Integritetin e Sportit (SIGA), të kryesuar nga drejtori ekzekutiv Emmanuel de Medeiros, të cilët po qëndrojnë në Prishtinë, në kuadër të Forumit të IV-të të Aleancës Globale për Integritetin në Sport, (SIGA), e cila punimet e saj do t’i zhvillojë më 4 dhe 5 shtator në Prishtinë.

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës mbështetë sportistët në çdo garë rajonale dhe botërore, duke i vlerësuar ata ambasadorët më të mirë të paqes, të cilët po e lartësojnë emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj theksoi faktin se sportistët kosovarë kanë shënuar histori duke na bërë krenarë me ngritjen e flamurit të Kosovës në Lojërat Olimpike dhe gara të ndryshme ndërkombëtare, në të njëjtën kohë duke i sjellë Kosovës medalje.

Me këtë rast, kryeministri tha se Qeveria ka ndërmarrë hapa konkret për krijimin e kushteve më të mira për sportistët, përmes investimeve në infrastrukturën sportive.

Në takim u bisedua edhe për përgatitjet për Forumin e IV-të të Aleancës Globale për Integritetin në Sport, (SIGA), i cili do të mbahet në Prishtinë, që temë kryesore do të ketë praktikat më të mira të integritetit në sport dhe integritetit financiar për sportin e pastër, për standardet universale të SIGA-s, të cilat e shtyjnë sportin drejt një epoke të re.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i KOK-ut, Besim Hasani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme