Hendboll, çekët vlerësojnë Kastriotin

Prishtinë | 04 Tet 2019 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Hendbollistët e Kastriotit kanë udhëtuar të enjten për në Pragë të Çekisë ku do t’i luajnë dy ndeshjet e rrethit të dytë të Challenge Cup.

Kastrioti i Ferizajt, të shtunën e të dielën (18:00), takohet me skuadrën çeke, Dukla Praha, transmeton Koha Ditore.

Skuadra çeke llogaritet favorite ndaj Kastriotit që javë më parë ka mbetur pa lojtarin kryesor, Deniz Terziqi, i cili karrierën po e vazhdon në Kroaci.

Kastrioti nuk ka angazhuar ndonjë lojtarë për të zëvendësuar Terziqin, që ishte lider i skuadrës, sidomos në sulm. Dukla ka përvojë më të gjatë se Kastrioti në Evropë e po ashtu më shumë suksese.

Por në klubin çek vlerësojnë skuadrën ferizajase. Kastrioti është fitues në fuqi i Kupës së Kosovës, por nuk e ka cilësinë e edicionit të kaluar.

“Kundërshtari është pak i panjohur. E kemi një incizim të edicionit të kaluar, por jo ndonjë të këtij edicioni. Presim që Kastrioti të luajë hendboll tipik ballkanik. Lojtarët i ka teknikë dhe presim që të luajnë shumë me pivot”, ka thënë trajneri i Duklas, Daniel Curda.

“Na presin dy ndeshje të vështira me Kastriotin. Besoj që do të jetë hendboll i shpejtë dhe i fuqishëm. Shumë do të varet nga ajo se si do të futemi në lojë. Nëse nisim mirë dhe diktojmë ritmin, mund të fitojmë. Synimi do të jetë të bëjmë presion në kundërshtarin që nga fillimi”, ka shtuar trajneri çek.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme