Hendboll, zbulohet lista e lojtareve për eliminatore

Prishtinë | 17 Sht 2019 | 20:11 | Nga Ekonomia Online

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll (femrat), Agron Shabani, të martën ka bërë publike listën me emrat e hendbollistëve, në të cilat llogarit për dy ndeshjet e para të fazës së dytë të eliminatoreve për “Euro 2020”, ka njoftuar Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK).

Në këto dy ndeshje, Kosova përballet me Slloveninë dhe Gjermaninë në kuadër të grupit të tretë, të cilin e përbën edhe Bjellorusia.

Ndeshjen e parë, Kosova e luan më 26 shtator në Maribor kundër Sllovenisë, kurse tri ditë më vonë, në Prishtinë e pret Gjermaninë. Si Sllovenia ashtu edhe Gjermania do të paraqiten në kampionatin botëror të këtij viti, që mbahet në Japoni.

Seleksionuesi Shabani ka ftuar 20 hendbolliste për këto dy ndeshje, prej të cilave 11 bëjnë karrierë në ligat evropiane. Për herë të parë janë ftuar edhe Marijeta Lekaj, që bën karrierë në Kroaci e Meltem Ylberi, që luan në Zvicër. Pjesë e listës së Shabanit janë edhe: Dorentina Osmani, Suzana Ujkiq, Albana Arifi, Elma Kameri, Shkurta Mehmeti, Burneta Rama, Verona Zaskoku, Fitore Aliu, Njomza Kelmendi, Ardiana Merditaj, Albina Rugova, Aurora Shehdadi, Aida Stagova, Alberina Halitaj, Mirela Gjikokaj, Leonora Demaj, Veronika Kastrati e Ardiana Salihu. Grumbullimi i hendbollisteve për këto dy ndeshje do të nisë të mërkurën.

Të ngjashme