Hendbollistët e Kosovës synojnë një tjetër kualifikim historik

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani ka pranuar se do të kenë një punë shumë të vështirë gjatë kualifikimeve për “Euro 2022”. Por, përzgjedhësi Ramadani ka theksuar se kualifikimi historik i Kosovës në Evropian nuk është një mision i pamundur. Kosova të martën pasdite mësoi kundërshtarët për kualifikimet e Evropianit, që do të mbahet pas dy vjetësh në Hungari e Sllovaki. Kosova është pjesë e grupit të tetë kualifikues së bashku me Suedinë, Malin e Zi dhe Rumaninë. Kështu që, Ramadani e pranon se Kosova para vetes ka një sfidë të vështirë, por jo edhe të pamundur.

“Rezultatet pozitive në kualifikimet e kaluara kanë bërë që tani të marrim pjesë në raundin e dytë kualifikues, pa pasur nevojë për paraqitje në raundet parakualifikuese. Realisht, e kemi pritur këtë nivel të kundërshtarëve”, është shprehur Ramadani.

Ai ka insistuar se synim mbetet kualifikimi në “Euro 2022” me ekipin A të Kosovës.

“Dardanët” e rinj, vitin e kaluar arritën kualifikimin historik në botërorin e mbajtur në verën e vitit 2019 në Spanjë. Njëherësh, kjo ishte edhe e arritura më e madhe në sportin kosovar në nivel të sporteve kolektive.

“Synimi është kualifikimi në ‘Euro 2022’. Detyrë e jona është t’i fokusojmë të gjitha energjitë tona në këtë drejtim për të realizuar këtë synim. Suedia është favorite në këtë grup dhe ka shanset më të mëdha për të udhëhequr grupin. Mali i Zi dhe Rumania janë super ekipe me përvojë të madhe ndërkombëtare, por nuk e kanë konsistencën e Suedisë”, ka shtuar Ramadani. “Kjo është dëshmuar në kualifikimet e fundit për Evropian, befasitë janë të mundshme, sidomos para publikut vendor dhe sidomos për ne. Rumania dështoi të kualifikohej në ‘Euro 2020’, kurse Mali i Zi u kualifikua me dy humbje dhe një barazim shokues ndaj Ishujve Faroe në Podgoricë”.

Në krye me përzgjedhësin Ramadani, Kosova ka arritur suksese dhe ka bërë hapa para. Ndërsa, hapi tjetër synohet të bëhet në kualifikimet e ardhshme. Ndeshjet kualifikuese për “Euro 2022” do të nisin në muajin nëntor të këtij viti për të përfunduar në maj të vitit të ardhshëm. Kosova e nis me Malin e Zi dhe e mbyll me Suedinë ciklin eliminator, ndeshje këto që do t’i luajë si mysafire.

“Në kampionatin evropian kalojnë 20 nga 32 ekipet kombëtare. Ne do të mundohemi të jemi një nga këto 20″, ka qenë i qartë Ramadani.

Ndërkohë, reprezentuesi i Kosovës, Kastriot Jupa ka vlerësuar se shorti i tërhequr për “Euro 2022” nuk e favorizon aspak Kosovën. Ai ka pranuar se është një grup tejet i vështirë, por jo edhe i pakalueshëm për të prekur kualifikimin në Evropian. Kosova e njeh mirë Rumaninë, ekip me të cilin është përballur në kualifikime të Botërorit dhe ka pësuar humbje.

“Mendoj se është një short jo i favorshëm për ne. Do të kemi përballë një gjigant të hendbollit si Suedia, kurse Mali i Zi dhe Rumania bëjnë pjesë te ekipet e nivelit shumë të lartë. Por, kjo do të jetë një sprovë shumë e rëndësishme për ne. Duam të vazhdojmë ngritjen që e kemi si kombëtare dhe sigurisht që do të synojmë kualifikimin”, ka insistuar Jupa, që është pjesë e ekipit nga Peja, Besa Famgas.

Dy vendet e para në grup garantojnë kualifikimin në “Euro 2022”, por është e mundur që një gjë e tillë të arrihet edhe prej pozitës së tretë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme