Henderson thotë se nervozizmi i Manes tregon konkurrencën brenda Liverpoolit

Prishtinë | 01 Sht 2019 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, beson se nervozizmi i sulmuesit Sadio Mane, në fitoren 3 me 0 ndaj Burnleyt në Premier Ligë të shtunën, tregon nivelin e konkurrencës brenda skuadrës.

Mane realizoi golin e dytë në këtë fitore. Por teksa ai u largua në minutën e 85-të për t’u zëvendësuar, senegalezi u pa tejet i nervozuar pse s’mori pasim nga Mohamed Salahu në një rast ideal për gol, pak minuta para zëvendësimit.

Henderson e Joe Gomez ishin ndër lojtarët që e qetësuan 27-vjeçarin, me trajnerin Jurgen Klopp që më vonë tha se situata është qetësuar.

Henderson, në anën tjetër, ka thënë se ishte mirë që pa emocione te lojtarët, raporton “SkySports”.

“Sadio është mirë, është djalë i mrekullueshëm. Kjo tregon thjeshtë që ne e shtyjmë njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës. Mendoj se kjo është e rëndësishme. Të gjithë duam të jemi më të mirë, duam të përmirësohemi, por jemi shumë të afërt dhe mendoj se mund t’ia dalim”, ka thënë Henderson. “Nuk jam i sigurt se çfarë ka ndodhur. S’mund ta kuptoja në fillim, por më pas ai qeshte dhe bënte shaka. Më e rëndësishmja ishte që morëm rezultatin, Sadio e di këtë. Ai performoi mirë sërish. Ai dhe Roberto Firmino ishin të mrekullueshëm. Pati ndeshje fantastike”.

Fitorja ndaj Burnleyt e vendos Liverpoolin në krye të tabelës me katër fitore në po aq ndeshje. “Të Kuqtë” hyjnë në pushimin për ndeshjet ndërkombëtare me dy pikë diferencë ndaj Manchester Cityt.

Të ngjashme