Heroi i Tottenhamit perfeksionoi teknikën në futsall

Prishtinë | 10 Maj 2019 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Lucas Moura padyshim se është heroi më i madh i Tottenhamit, pasi shënoi “hat-trick” për t’ia siguruar ekipit kalimin në finale të Ligës së Kampionëve, shkruan The Sun.

Rrëfimi për rrugëtimin e Lucasit – i rritur në varfëri të madhe dhe duke luajtur nëpër rrugët e Brazilit e deri në skenën e madhe të futbollit evropian – është i jashtëzakonshëm, përcjell Koha Ditore.

Sulmuesi i krahut, i cili iu bashkua Tottenhamit në janar të vitit të shkuar për 30 milionë euro nga PSG-ja, ka arritur në majë të futbollit nëpërmjet rrugës së vështirë. Ai është dashur të largohet nga shtëpia në moshën 13-vjeçare për të ndjekur ëndrrën që të bëhet profesionist.

Në qendrën stërvitore ku është zhvilluar si lojtar, Lucas ishte i rrethuar nga bandat, krimi, droga dhe dhuna. Megjithatë, djaloshi i dhënë pas fesë u përqendrua në stërvitjet e tij për të luajtur pastaj me ekipin e Sao Paulos.

Lucas Rodrigues Moura da Silva ka lindur më 3 gusht të vitit 1992. E ëma e tij, Maria ka qenë atlete që pastaj ka punuar si frizere, kurse babai Jorge ishte shërbyes civil.

“Gjithmonë e kam ditur dhe kam qenë e bindur se Lucasi do të bëhej futbollist. Ai gjithmonë më shqelmonte në mitër gjatë muajve të shtatzënisë”, ka thënë e ëma e tij.

Qysh në moshën pesëvjeçare, talenti i Lucasit filloi të vërehej. Shpejt u bë pjesë e akademisë së futbollit “Marcelinho Carioca”. Luajti në këtë shkollë për gjashtë muaj përpara se prindërit e tij të vendosnin se ishte për të mirën e Lucasit që të vazhdonte diku tjetër.

Pas kësaj, Lucasi filloi të luante futsall tek ekipi Clube Santa Maria në Sao Caetano, një zonë metropolitane e Sao Paulos. Pikërisht, duke luajtur futsall, Lucasi e mori nofkën “Marcelinho” për shkak të ngjashmërisë që kishte me legjendën e Corinthiansit. Marcelinho mbetet lojtari më i suksesshëm te Corinthiansi, i cili ka shënuar 206 gola në 420 ndeshje prej vitit 1994 deri më 2021.

Aftësitë e driblimit të Lucasit impresionuan trajnerin Dirceu Gabriel Couto, për të cilin lojtari i Tottenhamit thotë se është njeriu më i rëndësishëm në jetën e tij.

Të ngjashme