Hetemaj flet për gjendjen në Itali të krijuar nga Coronavirusi

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 11:28 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori kosovar Përparim Hetemaj me Beneventon ka gëzuar një stinor mjaft të suksesshëm.

Klubi i tij është duke kryesuar dukshëm në Serie B dhe pritet rikthimi në Serie A. Por, stinori në Itali është pezulluar për shkak të gjendjes alarmante shkaku i koronavirusit. Italia është vendi që është goditur më së rëndi në Evropë nga Coronavirusi. 

“Shpresoj që kjo të mbarojë sa më shpejt. Sigurisht, kjo prek gjëra më të mëdha sesa futbollin. Mund vetëm të imagjinojë vështirësitë e bizneseve të vogla gjatë kësaj kohe. Unë shpresojë që kjo të mbarojë, dhe të gjitha humbjet – shpirtërore dhe të tjera– të mund të zvogëlohen. Të shërohen sa më shumë persona që  të jetë e mundur”, ka thënë Hetemaj në një intervistë për gazetën finlandeze “Iltalehti”, transmeton Koha.net. 

Benevento është një qytet me afro 60 mijë banorë në afërsi të Napolit. Por, Hetemaj tregon se është e çuditshme të shohësh gjithë botën që ka ndaluar. Ndonëse ai flet për pozitivitetin e italianëve. 

“Italianët vërtetë kanë qenë pozitiv, duke kënduar nga ballkonet”, ka thënë ai. 

Hetemaj tregon se lejohen të dalin jashtë vetëm për të blerë gjëra në shitore, apo barnatore apo edhe për të shkuar në emergjencë. Për të bërë këtë duhet të marrë një dokument të shkruar. 

“Kur të dalësh jashtë duhet të mbash doreza dhe maska”, ka treguar mesfushori. 

Vetëm 20 vetë lejohen të jenë në rend nëpër shitore dhe të mos ketë distancë më të vogël se një metër mes tyre. 

Kufizimet në lëvizje nuk e shpërqendrojnë Hetemajn.

“Është thënë se do të duhet katër javë. Kjo është ajo që duhet të bësh. Natyrisht se është e rëndë për të gjithë. Por, duhet të qëndrojmë të mbyllur, pasi virusi ka arritur në një pikë ku spitalet janë të mbushura dhe shumë njerëz vdesin çdo ditë. Mbi 300 vdiqën në Itali vetëm dje. Ne jemi të izoluar. Nuk ka arsye për panik dhe ka shumë ushqim nëpër shitore dhe mund të bësh porosi edhe online”, ka deklaruar 33-vjeçari. 

Hetemaj mund të ushtrojë vetëm në shtëpi. 

“Është pak e vështirë që nuk mund të vrapojë”, ka thënë ai. 

Kur punon rrjeti, ai bën ushtrime me vëllain e tij të vogël Mehmet Hetemajn dhe shokun e tij Juhani Ojala, që gjenden në shtete tjera. 

Të ngjashme