Hetemaj, lojtari i dytë më i faulluar në dekadën e fundit

Prishtinë | 09 Kor 2019 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Nuk është e sigurt nëse Përparim Hetemaj do të vazhdojë të luajë në Serie A, por në nëntë edicionet e kaluara në kategorinë e parë italiane ai ka zënë vend në “podium”, në një renditje të veçantë.

Sajti i njohur gjerman, “spox.com”, ka publikuar të hënën listën e lojtarëve më të faulluar në Top-5 ligat evropiane të futbollit. Renditja është formuluar në bazë të faulleve që janë bërë ndaj lojtarëve në dhjetë vjetët e fundit. Në top-5 ligat evropiane bëjnë pjesë La Liga spanjolle, Premier League e Anglisë, Bundesliga e Gjermanisë, Serie A e Italisë dhe Ligue 1 e Francës.

Sajti gjerman ka paraqitur vetëm 30 lojtarët më të faullur në dekadën e fundit. Në vendin e 30-të është sulmuesi i njohur polak, Robert Lewandowski, ndaj të cilit janë shkaktuar plot 504 ndërhyrje të palejuara nga lojtarët kundërshtarë.

Shumë lart në këtë listë është Përparim Hetemaj – në vend të dytë. Ndaj tij në dekadën e fundit janë shkaktuar plot 797 faulle. Lojtar më i fauluar se Hetemaj në Top-5 ligat evropiane është vetëm ylli belg, Eden Hazard. 1052 faule janë shkaktuar ndaj Hazardit derisa ka luajtur për Chelsean e Lillen. Ai tashmë është lojtar i Real Madridit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme