Hetemaj, lojtari i dytë më i fauluar i dekadës në top-pesë ligat evropiane

Prishtinë | 03 Jan 2020 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Përparim Hetemaj është mesfushor defensiv dhe roli i tij kryesor është të “pastrojë terrenin”, duke i ndalur aksionet e kundërshtarëve, por ai është shquar edhe për diçka tjetër gjatë dekadës që u mbyll (2010-2019): për mbajtje të topit.

Dëshmia më e mirë për këtë është një statistikë e “Squawka Football”, ku ai është në mesin e pesë futbollistëve më të fauluar të dekadës në pesë ligat më të forta të Evropës – Premier League, Serie A, La Liga, Bundesliga e Ligue 1.

Në fakt, Hetemaj është futbollisti i dytë më i fauluar në këtë listë, duke lënë pas vetes edhe yllin e Barcelonës, Lionel Messi. Hetemaj është fauluar 797 herë, kurse para tij është vetëm mesfushori ofensiv i Realit, Eden Hazard që ka fituar 1.030 faula gjatë dekadës, shkruan sot Koha Ditore.

Hetemaj gjatë dhjetë edicioneve të fundit ka luajtur kryesisht në Serie A, te Brescia dhe Chievo, kurse statistikat e këtij edicioni nuk i janë përfshirë për shkak se është pjesë e ekipit Benevento në Serie B. Gjithashtu, nuk janë përfshirë as statistikat e gjashtë muajve te Brescia (2009/10), të cilit ekip i ndihmoi të kthehej në Serie A. Pra, statistikat e Hetemajt janë marrë vetëm për ndeshjet që i ka luajtur në Serie A dhe Kupën e Italisë gjatë 9 vjetëve.

Messi në këtë listë është i treti me 702 faulla të shkaktuar ndaj tij, kurse në pozitën e dytë është sulmuesi i krahut, kolumbiani Juan Cuadrado (735) i Juventusit. Listën prej pesë lojtarëve më të fauluar të dekadës në top-ligat e Evropës e përmbyll mesfushori argjentinas, Alejandro Gomez, që është pjesë e Atalantas dhe që është fauluar 675 herë.

Të ngjashme