Hetemaj po mundohet të qëndrojë pozitiv në krizën e Coronavirusit

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

I biri i Mehmet Hetemajt, Luani ia rrëmben topin babait dhe gjuan e shënon gol. Pas një përformance të suksesshme, 4-vjeçari buzëqesh nga gëzimi.

“Fëmijët i japin të rriturve shumë forcë dhe një perspektiv në këto kohë të vështira. Shoqëria tash është në krizë, por duhet të kemi mendime pozitive. Fëmijët nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh, por në të njëjtën kohë, ata ta kujtojnë se jeta duhet vazhduar”, thotë Hetemaj, për “Ilta Sanomat”, transmeton Koha.net.

Mirëpo, ndeshjet baba e bir në fusha të mbyllura janë pezulluar tashmë, pas mbylljes së gjithë infrastrukturës sportive javën e kaluar me rekomandime nga autoritetet. Sipas Hetemajt, tash ka më tepër energji dhe shpejtësi në shtëpi.

“Pranvera ka ardhur dhe jashtë mund të bësh gjitha gjërat. Brenda, luajmë ndeshje me top të lehtë dhe vrapojmë vazhdimisht. Po ashtu luajmë lojë polic e hajdut. Shqetësimet e botës mund të lihen anash. Kjo po ashtu është e nevojshme nganjëherë”, ka thënë Hetemaj, që luan për skuadrën e elitës së Finlandës në futboll, SJK.

Në fund të javës së kaluar, SJK u ka thënë lojtarëve që të stërviten në shtëpi dhe të presin udhëzimet tjera. Fillimi i ligës është pezulluar deri në qershor, por Hetemaj pranon se nuk e ka pasur mendjen në futboll së fundi.

“Ndonëse jemi profesionist, sporti është dytësor në këtë rast. Jemi në një situatë të cilën nuk e kemi përjetuar më parë. Shëndeti njerëzor dhe eliminimi i virusit tash është prioritet dhe duhet të mendojmë për të gjithë ata që janë në rrezik dhe të cenueshëm ndaj epidemisë”, ka shtuar Hetemaj.

Hetemaj dhe shumë tjerë në Finlandë janë në situatë ku nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre. Natyrisht se shkakton shqetësime kjo situatë.

Javën e kaluar, SJK ka njoftuar se është arritur marrëveshja me lojtarë për ulje page për tre muajt e ardhshëm.

“Unë jam njeri familjar dhe sigurisht në mendje e ke paqartësinë ekonomike dhe ndikimin që do të shkaktojë kjo situatë. Mirëpo, jam veçanërisht i shqetësuar për bizneset e vogla, që koronavirusi i ka goditur rëndë. Shpresoj, që masat që do të merren do të ndihmojnë bizneset të marrin veten”, ka thënë Hetemaj.

Mesfushori, që si katërvjeçar erdhi në Finlandë me familje nga Kosova, ka ftuar njerëzit që të tregojnë simpati dhe solidaritet gjatë kësaj periudhe.

“Finlanda është përballur me vështirësi të mëdha në të kaluarën, por ia ka dal të kalojë ato. Receta e njëjtë funksionon edhe në këtë rast. Ne jemi shtet i fortë, është dëshmuar në shumë raste. Duhet siguruar që të ketë mjaftueshëm ushqim dhe kujdes shëndetësor për të moshuarit dhe grupet në rrezik, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të mendohet pozitivisht”, ka shtuar 32-vjeçari.

Ai beson se kjo krizë ia hap sytë njerëzve ndaj gjërave që janë vërtetë të rëndësishme dhe vlera e të cilave nuk kuptohet deri kur të vijë momenti.

“Një ditë, e gjithë kjo do të mbarojë dhe do të kthehemi në jetën normale. Atëherë mund të vlerësojmë edhe gjërat e vogla që nganjëherë i merr si të garantuara”, ka shtuar Hetemaj.

Të ngjashme