Hetemaj shpreson që me Beneventon të kthehet në Serie A

Prishtinë | 06 Pri 2020 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Jeta kurrë nuk ka qenë e lehtë për Përparim Hetemajn. Ai në moshën 6-vjeçare iku nga  Kosova për t’u vendosur në Finlandë me familje.

Hetemaj është një nga ata luftëtarët, që janë të formuar për të kaluar gjitha vështirësitë, edhe situata madje që ngjason në një film horror, si një me të cilën po përballet bota.

Ai është i vetëm në apartamentin në Benevento, pasi bashkëshortja e tij u kthye në Finlandë pak ditë para se të mbyllej Italia dhe nuk ishte më në gjendje të kthehej.

“Sigurisht se është e komplikuar, por ka njerëz që janë shumë më keq, nuk mund të ankohem”, ka thënë Hetemaj.

Fjalë plotë mençuri, që do të thotë se ai ka një perceptim të vërtetë se kush po vuan dhe kush po paguan çmimin më të madh në këtë pandemi.

Nga Finlanda ai merr lajme të mira nga të afërmit atje.

“Është e vërtetë, se momentalisht atje janë më mirë se në Itali. Nuk ka karantinë, ndonëse këshillohen të mos dalin jashtë dhe të mos vizitojnë të moshuarit. Më mungon Finlanda pak, por pasi janë të gjithë të afërmit e mi atje: nëna ime, vëllai, dy motrat, katër nipërit dhe po ashtu bashkëshortja ime. Më mungojnë: me përjashtim të bashkëshortes, të tjerët nuk i kam parë tash e gjashtë muaj”, thotë Hetemaj për “Corriere dello Sport”, transmeton Koha.net.

Është sfidë të kalohet monotonia e qëndrimit të vazhdueshëm mbyllur, pa pasur mundësinë të dalësh. E veçanërisht pa pasur mundësi të stërvitesh në fushë.

“E gjitha kjo më mungon. Unë stërvitem çdo ditë, me përjashtim të ditëve të hëna, pas programit që na dërgohet. Po ashtu përdori biçikletën statike që e kam në shtëpi. Është e vërtetë, që ditët janë gjithmonë të njëjtë: zgjohem, ha mëngjes, bisedoj me celular, më pas stërvitem për dy orë. Më pas ha drekë, pushoj dhe stërvitem edhe dy orë tjera. Në këtë rutinë duhet të gjesh diçka të bësh ndryshe, përndryshe ditët nuk kalojnë lehtë. Nganjëherë bëjë pak joga, kam ndjekur kurse në Finlandë dhe më shërben tash. Po ashtu po marr pjesë në kurse online për trajner. E po mësohem edhe të gatuaj. Kam mësuar të bëjë rizoto”, thotë Hetemaj.

Nuk është e lehtë të mbash veten në formë në ambient të mbyllur. Por, Hetemaj beson se lojtarët do të mund të kthehen në formë për të luajtur brenda tre apo katër javëve.

“Do të duhen dy/tri apo katër javë. Të mos harrohet se profesionistët kanë vazhduar të stërviten në shtëpi, të gjithë po bëjnë çfarë po munden. Kur e mendoj se kur jemi në pushime nuk stërvitem fare dhe tash stërvitem çdo ditë, mendoj se nuk do të duhet shumë për t’u kthyer në formë. Por, problemi është se kur do të kthehemi. Sipas mendimit tim, situata ende duhet të përmirësohet shumë, shifrat ende nuk janë siç presim”, ka thënë mesfushori.

Ka mendime të ndryshme sa i përket vazhdimit të garave. Disa thonë se kampionati duhet të mos vazhdohet, e disa insistojnë të vazhdohet.

Por, Hetemaj insiston se Benevento e meriton të kthehet në Serie A. Benevento pas 28 xhirove në Serie B kryeson me 69 pikë, 20 më tepër se Crotone që zë vendin e dytë.

“Më duhet të pranojë se nuk ndjeki shumë këto debate që po vazhdojnë nëse duhet të vazhdohet kampionati apo jo. Me rëndësi është që çdo gjë të shkojë mirë. Është e qartë se ne duam të vazhdohet kampionati, që do të nënkuptonte se më e keqja ka kaluar. Benevento meriton të ngjitet në Serie A. Të gjithë po e thonë këtë. Shpresojmë të e bëjmë këtë në fushë, por në anën tjetër na duheshin vetëm edhe pak ndeshje për të realizuar këtë edhe matematikisht”, ka thënë Hetemaj.

Hetemaj 33-vjeçar këtë stinor ka luajtur 24 ndeshje në të gjitha garat, duke asistuar një gol.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme