Hetuesit zbulojnë momentet e fundit para rrëzimit të helikopterit të Bryantit

Prishtinë | 30 Jan 2020 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Pak momente para se legjenda e basketbollit Kobe Bryant, vajza e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë të tjerë të humbnin jetën pas rrëzimit të helikopterit, piloti kishte tentuar të ngjitej lart për të dalë nga shtresa e reve, por helikopteri më pas u kthye fort në të majtën dhe u përplas rrëzë kodrës.

Helikopteri Sikorsky S-76B me dy motorë u rrëzua 60 sekonda më vonë dhe shpërtheu në zjarr, duke lënë të vdekur të nëntë personat që ishin në të, sipas detajeve që janë zbuluar të martën pasdite nga autoritetet federale të sigurisë së aviacionit, shkruan Koha Ditore.

Vdekja e Bryantit 41-vjeçar, një prej sportistëve më të admiruar në botë, dërgoi valë shoku kudo.

Hetuesit e Bordit të Sigurisë Nacionale për Transport (NTSB) kanë llogaritur se helikopteri kishte goditur tokën me shpejtësi më tepër se 610 metra për minutë.

“Koha nga nisja e rënies e deri te përplasja ishte rreth një minutë”, ka thënë anëtarja e bordit të NTSB-së, Jennifer Homendy.

Të dhënat e radarit kanë treguar se helikopteri ishte ngjitur në lartësi 640 metra, ka treguar Homendy, duke tentuar të ngjitej sipër shtresës së reve, para se të bënte një kthesë e zbritje në të majtën, ku pak çaste më vonë u humb kontakti me kontrollin e trafikut ajror.

Hetuesit nuk kanë ofruar përgjigje se çfarë ka ngjarë për rënien aq të shpejt të helikopterit në njërën anë dhe përplasjes për tokë. Por, Homendy ka vlerësuar se shpejtësia e zbritjes nuk ka qenë e nivelit normal.

“Ne e dimë se ishte përplasje në shpejtësi të madhe”, ka thënë Homendy, ndërsa ka shtuar se helikopteri ishte ende i plotë para se të godiste tokën.

Homendy ka shtuar se retë, mjegulla dhe shikueshmëria e limituar në atë zonë të dielën kanë qenë në fokus të hetimeve, që do të duhet së paku një vit për t’u përfunduar.

Helikopteri nuk ishte i pajisur me ndonjë sistem paralajmërimi, pajisje që do të kishte paralajmëruar pilotin se është shumë pranë kodrës. Po ashtu nuk ka pasur as kuti të zezë, që do të ishte më e lehtë për hetuesit.

Rekomandimet e NTSB-së që të dy pajisjet të kërkohen me detyrim te helikopterët nuk janë implementuar nga Administrata e Aviacionit Federal, ka thënë Homendy.

Në mesin e zbulimeve ka qenë një iPad që hetuesit shpresojnë se mund t’i ketë takuar pilotit për t’u informuar për motin dhe po ashtu për mbikëqyrje të fluturimit.

Skuadra e NTSB-së ka larguar një kamion me rrënoja, ndërsa hetuesit mjekësor kanë identifikuar mbetjet e katër viktimave, përfshirë të Kobe Bryantit dhe pilotit.
Bryant, që është pensionuar nga basketbolli në vitin 2016 pas 20 vjetëve të kaluar me LA Lakers, ishte rrugës për në akademinë e basketbollit me vajzën e tij 13-vjeçare Gianna, pasi ajo duhej të zhvillonte një ndeshje. Bryant drejtonte skuadrën e vajzës së tij.

Zyrtarët e NTSB-së kanë njoftuar se privatisht kanë biseduar me të afërmit e të vdekurve nëpërmjet telefonit, por nuk është bërë e ditur se çfarë është diskutuar apo me kë saktësisht.

Duke folur në konferencën e njëjtë, sherifi i Los Angeles County, Alex Villanueva, ka thënë se janë identifikuar katër nga nëntë viktimat.

Pos Bryantit dhe pilotit Ara Zobayan, është konfirmuar identiteti edhe i John Altobellit, trajnerit të bejsbollit te Orange Coast College. Po ashtu është konfirmuar identiteti i Sarah Chesterit, që vdiq në rrëzimin e helikopterit me vajzën e saj 13-vjeçare Payton.

Bashkëshortja e Altobellit, Keri dhe vajza e saj Alyssa 13-vjeçare, bashkëlojtare e Gianna Bryantit, po ashtu ishin në mesin e të vdekurve. Si dhe ndihmëstrajnerja Christina Mauser.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme