Historia e veçantë e Bajram Sadrijajt me Dortmundin dhe Jurgen Kloppin

Prishtinë | 23 Gus 2020 | 10:49 | Nga Ekonomia Online

Juergen Klopp tashmë vlerësohet prej trajnerëve më të mirë të futbollit. Me Liverpoolin në edicionin e fundit, 53-vjeçari ka fituar Premier Leaguen. Me të njëjtën skuadër një vit më parë e fitoi Ligën e Kampionëve. Lista e sukseseve të tij është e gjatë, ndërsa shumë prej Kloppit pritet edhe në të ardhmen.

Te Borussia Dortmundi, skuadra e madhe gjermane, karriera e Kloppit mori hov. Ai ka drejtuar Dortmundin nga viti 2008 deri në vitin 2015, kur mori drejtimin e Liverpoolit.

Në krye të Dortmundit debutoi në një ndeshje që për nivelin aktual të Kloppit mund të vlerësohet shumë e vogël. Dortmundi i Kloppit më 9 gusht të vitit 2008 kishte fituar 3:1 në udhëtim ndaj Rot-Weiss Essenit, në rundin e parë të Kupës së Gjermanisë.

Ajo ndeshje e 9 gushtit të vitit 2008 ishte e veçantë edhe për një futbollit kosovar, pak të njohur tashmë. Bajram Sadrijaj po debutonte te Dortmundi. Rastin për të debutuar po ia jepte pikërisht Klopp, që po ashtu për herë të parë po drejtonte skuadrën nga Dortmundi në ndeshje zyrtare.

Në minutën e 71-të, Bajram Sadrijaj, një sulmues tipik prej të cilit te Dortmundi pritnin shumë, u aktivizua në vend të Giovanni Federicos. Por, Sadrijaj la fushën e blertë menjëherë në minutën e 72-të. U përjashtua me karton të kuq. Me të hyrë në fushë, nga dëshira e madhe për t’u dëshmuar, Sadrijaj ndërhyri ashpër në një lojtar kundërshtar dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Ai u përjashtua pas vetëm 12 sekondave lojë. Madje ishte vlerësuar – dhe ende vlerësohet marrë për bazë mediat gjermane – si përjashtimi më i shpejtë me karton të kuq në histori të futbollit.

Sajti “spox.com” kohë më parë ka publikuar një shkrim për Sadrijajn dhe ka shkruar se Sadrijaj është në librin e rekordeve “Guinness”.

“Nga dëshira e madhe për të dëshmuar cilësitë jam hedhur menjëherë në një start që doli të jetë i gabuar. Më kushtoi me karton të shpejtë të kuq në ndeshjen e parë zyrtare për Dortmundin”, kishte thënë Sadrijaj në të kaluarën për KOHËN.

“Para se të bëhej zëvendësimi kam kërkuar prej tij që të shkonte në top. Por, natyrisht, nuk kam dashur që Bajrami të implementojë kërkesën time në atë mënyrë”, kishte thënë Klopp pas ndeshjes.

Të ngjashme