Holanda vazhdon ngritjen me De Jongun në zemër të ekipit

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Holandës, që po drejtohet nga Ronald Koeman, vazhdoi të enjten mbrëma ngritjen impresive, pasi siguroi një vend në finalen e Ligës së Kombeve të UEFA-s, duke triumfuar 3:1 kundër Anglisë pas vazhdimeve.

Në finale të kësaj lige inauguruese të UEFA-s, Holanda do të përballet me Portugalinë. Ndeshja do të zhvillohet të dielën mbrëma në Porto, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Për Holandën, fitorja erdhi nga dy gabime të tmerrshme të Anglisë gjatë vazhdimeve dhe në saje të ndërhyrjes së sistemit VAR, që anuloi një gol të Anglisë në minutën e 83-të, e që pa të mund të kishte qenë fitues për ekipin e Gareth Southgatet. Por specifikat e golave vendimtarë – pasi koha e rregullt përfundoi 1:1 – nuk bën t’ia ulin vlerën Holandës për kualifikimin në finale të këtij turneu.

“Futbollistëve nuk iu kam thënë asgjë në pushimin pas pjesëlojës së parë kur ishim në disavatazh. Ata e dinin se çfarë duhej të bëjnë kur të dalin në fushë në pjesëlojën e dytë. Përmirësuan gabimet dhe arritën ta fitojnë ndeshjen”, ka thënë seleksionuesi Koeman. “Ne kemi shumë talente në ekip, por edhe lojtarë me përvojë që kanë fituar Ligën e Kampionëve. Kështu që ekipi është komponuar mirë dhe nga ndeshja në ndeshje po merr më shumë përvojë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme